LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Vushtrrisë reagon për reduktimet e ujit, paralajmëron padi ndaj “KRU Mitrovica”

Komuna e Vushtrrisë reagon për reduktimet e ujit, paralajmëron padi ndaj “KRU Mitrovica”

Komuna e Vushtrrisë ka reaguar ndaj reduktimeve të ujit, duke thënë se këto reduktime në kohë pandemie janë papërgjegjësi totale dhe shkelje serioze e ligjit nga “KRU Mitrovica” njësia në Vushtrri.

“Ujë ka mjaftueshëm dikush me qëllim po dëshiron të dënoj një qytet me reduktime. Me ligj reduktimet janë të ndaluara. Komuna e Vushtrrisë, Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk ka pranuar asnjëherë njoftim për arsyet e reduktimeve të ujit e aq më pak orar të reduktimeve.


Arsyetimi që ka shpenzime të tepërta e keqpërdorime të ujit nuk qëndron sepse që nga fillimi i vitit 2020, nuk ka asnjë fletë paraqitje për keqpërdorim të ujit nga KRU Mitrovica /Njësia në Vushtrri në inspektoratin e Komunës.
Për më tepër qe 2 muaj bizneset e Vushtrrisë kanë qenë të mbyllura.

Komuna ka ofruar bashkëpunim të plotë KRU Mitrovica, por papërgjegjësia e menaxhmentit të KRU Mitrovica/Njësia në Vushtrri po i dëmton rëndë qytetarët. Një individ nuk do të lejohet të dënojë e shantazhojë një qytet”, thuhet në njoftimin për media.

Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar “KRU Mitrovica” të merren masa menjëherë, ndryshe do të shqyrtohet ngrirja e bashkëpunimit dhe inicimi i procedurave ligjore ndaj përgjegjësve të njësisë së “KRU Mitrovica” në Vushtrri. /Telegrafi/