LAJMI I FUNDIT:

Kompanitë amerikane pak të kënaqura me Gjermaninë

Kompanitë amerikane pak të kënaqura me Gjermaninë

Kompanitë amerikane nuk janë më aq të kënaqura me Gjermaninë sa vitin e kaluar. Ky është rezultati i sondazhit të fundit të kryer nga Oda Amerikane e Tregtisë në Gjermani (AmCham Germany) me 50 kompanitë amerikane me qarkullimin më të lartë në vend.

Masat e ndryshme në krizën e koronas ato i vlerësuan pozitivisht. Për shembull, kompensimin për punën me orar të reduktuar, paketën e shpëtimit për të vetëpunësuarit dhe sipërmarrjet e mesme, paratë shtesë për familjet dhe ndihmën për artistët e kanë forcuar Gjermaninë si vend për biznesin. Megjithatë, nga ana tjetër, ka pasur shumë pak investime shtetërore, ankohen kompanitë amerikane dhe administrata gjermane ka mbetur prapa në dixhitalizim.


“Për këtë arsye, kompanitë amerikane që operojnë në Gjermani kërkojnë reforma nga qeveria e re gjermane. Është e rëndësishme që tani të përcaktohet kursi që kompanitë amerikane të vazhdojnë të investojnë në Gjermani si një vend biznesi. Qeveria e ardhshme gjermane duhet të zhvillojë ide të reja që nxisin inovacionin dhe aftësinë për konkurrencë në Gjermani në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Në qendër të vëmendjes duhet të jetë ndryshimi i klimës, transformimi dixhital dhe përballimi i pasojave ekonomike dhe sociale të pandemisë së koronas”, thotë Simone Menne, presidente e Odës Amerikane në Gjermani.

Në vitin fiskal 2020, pandemia COVID-19 la gjurmë edhe në kompanitë më të mëdha amerikane në Gjermani. Qarkullimi i përgjithshëm i 50 më të mirëve ra me 1.4 për qind në 189 miliardë euro. Vërtet që disa sektorë, si shitja me pakicë, programet kompjuterike, logjistika dhe farmaceutika u rritën ndjeshëm, por të tjerë humbën terren.

Amazon kryeson renditjen e kompanive amerikane në Gjermani

Ndër kompanitë me qarkullim më të madh është Amazon me 25.9 miliardë euro të ardhura, e ndjekur nga prodhuesi i automjeteve Ford me 15.7 miliardë euro shitje. Microsoft gjithashtu përfitoi nga nxitja e dixhitalizimit për shkak të koronas dhe shënoi një xhiro prej 6.76 miliardë euro. Kompanitë farmaceutike që prodhojnë pajisje laboratorike ishin gjithashtu në gjendje të shënonin rritje. Nga ana tjetër, kompanitë amerikane në sektorin e lëvizshmërisë vuajtën pasojat globale të pandemisë dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit. Shitjet te ato kanë rënë në muajt e fundit.

“Në përgjithësi, 50 kompanitë më të mëdha amerikane që operojnë në Gjermani punësuan më shumë punonjës në vitin e koronas 2020. Numri i tyre u rrit me 2,300 në 276,500. Investimet e huaja direkte nga kompanitë amerikane në Gjermani po rriten fuqishëm edhe përkundër pandemisë së koronas. Për kompanitë amerikane, Gjermania mbetet një treg interesant, gjë që dëshmohet edhe nga disa blerje të mëdha”, tha zëvendëspresidenti Odës Amerikane në Gjermani, Frank Riemensperger.

Rimëkëmbja në horizont

Kompanitë në sektorin e inxhinierisë mekanike, lëndëve të para, energjisë dhe kimikateve, veçanërisht, patën shitje më të larta në fillim të viti 2021 sesa në 2020. Nga lehtësimi gjatë pandemisë përfituan edhe mallrat e konsumit.

Me 63 mijë punonjës, McDonald’s është punëdhënësi më i madh ndër kompanitë më të mëdha amerikane në Gjermani.

“Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse zhvillimi është po aq i qëndrueshëm sa duket të jetë në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve. Pandemia e ka bërë të qartë se për konkurrencë të qëndrueshme nuk mund të anashkalohet transformimi dixhital. Dixhitalizimi i plotë i zinxhirit të produktit dhe shërbimit, prodhimit dhe shpërndarjes është një detyrë gjigante, me të tani duhet të përballen kompanitë në të dyja anët e Atlantikut”, thotë Riemensperger.

Detyrat më të rëndësishme transatlantike

50 kompanitë kryesore amerikane e konsiderojnë mbrojtjen e klimës dhe mjedisit dhe heqjen e doganave si çështjet më të rëndësishme transatlantike. Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara e vlerësojnë menaxhimin e qeverisë amerikane për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit si “afër zgjidhjes”.

Përkushtimi i administratës së re amerikane ndaj marrëveshjes së Parisit për klimën ka kontribuar për këtë.

Forumet transatlantike të krijuara së fundmi, si Partneriteti Gjermano-Amerikan për Klimën dhe Energjinë dhe Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA, po ecin në rrugën e duhur, për t’i zhvilluar së bashku mbrojtjen e klimës dhe tregtinë transatlantike. /Deutsche Welle/