Koalicioni i OJQ-vë për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkojnë miratimin e menjëhershëm të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal, me qëllim të zgjidhjes së problemit të financimit të shërbimeve sociale për fëmijët dhe qytetarët në nevojë, Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF me 31 organizatat anëtare, publikon “Qëndrimin për Grantin Specifik për Shërbime Sociale”.

“Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në vijim të kërkesave drejtuar Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen afatgjatë të financimit të shërbimeve sociale si dhe për sigurimin e një financimi të qëndrueshëm e të drejtë të këtyre shërbimeve, kërkon krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale përmes miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal”, thuhet në komunikatën e KOMF.

Në komunikatë thuhet se ky projektligj ka mbetur pezull prej disa muaj dhe se asnjë hap nuk është ndërmarr në drejtim të miratimit të tij. E me hyrjen në fuqi të këtij projektligji atëherë pritet që të fillojë edhe implementimi i Grantit Specifik për Shërbime Sociale i cili do të sigurojë një minimum të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale në Kosovë.

“Në anën tjetër, në vitin 2019, nga gjithsej 466.7 milionë Euro që ishte buxheti total i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesa dërrmuese është ndarë për skema dhe transfere. Ndërkohë që për shërbime sociale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë vetëm 3 milionë Euro apo vetëm 1 përqind të buxhetit të saj, shumë e cila është e pamjaftueshme për të adresuar dhe mbuluar nevojat e grupeve të cenueshme në vend. Për më tepër, kujtojmë se gjendja aktuale e shërbimeve sociale është rënduar edhe më shumë si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë të cenueshëm kanë mbetur pa shërbime. Në mungesë të financimit, shumë prej ofruesve të shërbimeve sociale janë mbyllur ose rrezikojnë të mbyllin shërbimet e tyre. Nisur nga kjo, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më shpejt me miratimin e Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, me qëllim sigurimin e minimumit të financimit të shërbimeve sociale. Qëndrimi për Grantin Specifik për Shërbime Sociale është qëndrim i përbashkët i Koalicionit të OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës. Ky qëndrim është hartuar në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP”, thuhet në komunikatën e KOMF.