Gramos Hashani zgjidhet Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se Gramos Hashani është përzgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, pas përfundimit të një procesi rekrutimi që, sipas ndërmarrjes, ka qenë i hapur, transparent dhe konkurrues.
Në njoftimin e bërë publik më 30 prill 2026, KEK bën të ditur se procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka përfshirë vlerësimin dhe intervistimin e të gjithë kandidatëve që kanë përmbushur kriteret e konkursit publik.
Sipas KEK-ut, Hashani është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa studimet master i ka përfunduar në Universitetin “Incarnate Word” në San Antonio, Texas (SHBA).
Ai po ashtu është Kontabilist i Certifikuar dhe Auditor i Brendshëm i Certifikuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), si dhe anëtar i ACCA në Londër, Mbretëria e Bashkuar.
KEK thekson se Hashani ka ekspertizë në menaxhim strategjik financiar, qeverisje korporative, investime në tranzicionin energjetik dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS dhe US GAAP), ndërsa përvoja e tij profesionale përfshin sektorin e energjisë dhe atë financiar në SHBA dhe Kosovë, ku ka mbajtur pozita të larta në kompani vendore dhe ndërkombëtare.
Bordi i Drejtorëve i KEK-ut i ka uruar suksese Hashanit në detyrën e re, duke shprehur besimin se nën udhëheqjen e tij korporata do të vazhdojë të forcojë performancën dhe të avancojë zhvillimin strategjik “në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.




















































