eksperti-banner

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i raportuar i zhdukur më 4 qershor, për ngjarjen e së cilës si i dyshuar kryesor po hetohet shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj.

Ndërkohë, Enea Zyferi, i cili është lënë në burg nën dyshimin për përkrahje të autorit, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje.


Sipas raportimeve nga seanca gjyqësore, Zyferi ka deklaruar se punon si kamerier në lokalin e Armand Shakajt dhe se ditën e ngjarjes kishte parë Eglant Koçin të hynte në lokal, por më pas nuk kishte dijeni për lëvizjet e tij.

Ai ka thënë se me kërkesë të Shakajt kishte fikur dritat e lokalit, pasi ky i fundit i kishte treguar se duhej të nxirrte një frigorifer. Sipas dëshmisë së tij, një ditë më vonë Shakaj i kishte kërkuar të lante makinën në një zonë pranë Bulevardit të Ri, ku më pas ishte ndaluar nga policia.

“Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar Zyferi para gjykatës.

Nga ana tjetër, burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momente të dyshimta pasi janë fikur dritat e lokalit.

Sipas hetuesve, në video shihet Armand Shakaj duke tërhequr një objekt që duket si qese e zezë, të cilën më pas e vendos në automjet dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, bazuar në të dhënat e qelizave telefonike, Shakaj dyshohet se ka udhëtuar drejt zonës së Dajtit dhe më pas në drejtim të Xibrit, ku autoritetet dyshojnë se mund të jetë fshehur trupi i 34-vjeçarit.

Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë kërkimet intensive në zonën malore me ndihmën e qenve gjurmues, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e trupit të Eglant Koçit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.