LAJMI I FUNDIT:

Kohë proletariusi

Kohë proletariusi

Poeti Branko Çopiq, në një vjershë propagandistike, thoshte se do të vinin “proletarët e ri”, do ta sillnin “ditën e re dhe lavdinë”. Ata, pasi t’i mposhtnin “bishat e egra”, do të marshonin “me çetat e lirisë”. Në këto çeta do të kishte edhe “proletarë të vdekur”, sepse bota do të udhëhiqej sipas frymës së tyre.

Regjimi komunist ka rënë. Poezitë ideologjike të Çopiqit, dikur të përfshira nëpër libra shkollorë, pakkush i lexon, por “fryma proletare” është e pranishme në shoqëritë postkomuniste, ku nuk ka filluar procesi i dekomunistizimit. Skenat e politikës janë mbushur me “proletarë”, pavarësisht se si ata dëshirojnë ta quajnë veten.

Proletari, sipas Karl Marksit, e siguronte ekzistencën duke e shitur fuqinë e tij të punës. Është e njohur thënia: “Proletarët nuk kanë asgjë përveç leckave. Proletarë të të gjithë vendeve, bashkohuni!”

Proletariusi (një term që na vjen nga Roma e lashtë) është njeriu i varfër, pa pronë, ideali i të cilit është buka e përditshme. Pasi vuan për gjëra ekzistenciale, ai nuk mendon për gjëra esenciale. Nuk mendon për art, shkencë e kulturë.

Gjendja e mjerë e proletariusit është shfrytëzuar nga lëvizjet politike në kohë krizash morale e shoqërore, veçanërisht në kohë revolucionesh. Kur proletariusi pastaj bëhet njëfarë udhëheqësi, atëherë vepron me verbëri sipas dogmës ideologjike. Ai nuk e duron dijen dhe askënd tjetër që është mbi nivelin e tij “kulturor”. Kur robi bëhet padron, atëherë mendon se si t’i hakmerret padronit të tij. Këtë gjendje e ka përshkruar në një tregim shkrimtari i njohur zviceran Friedrich Dürrenmatt. Padroni e mban të lidhur me pranga robin dhe e ka nën mbikëqyrje, sepse ka frikë nga hakmarrja e tij. Kështu padroni bëhet rob i robit.

Proletariusi i pushtetshëm, për ta ruajtur pozicionin e tij, të cilin as nuk e ka ëndërruar, është në gjendje të bëjë çdo marrëzi. Pasi që gjithë jetën ka qenë i shtypur, ai nuk mund të çlirohet nga servilizmi ndaj atyre që kanë më shumë pushtet dhe është i egër e mizor ndaj atyre që kanë më pak ose aspak pushtet. Ai dëshiron t’i ngjajë padronit të tij.

Sistemet e këtilla shtetërore, paradoksalisht, ndërtohen nëpërmjet servilizmit dhe arrogancës. Gjithsesi, edhe nëpërmjet hipokrizisë.

Proletariusi i veshur me pushtet, që i mban afër të ngjashmit me ta, ka vetëdije robi, pavarësisht se thirret në heroizma dhe lavdi.

Pushteti i proletariusit e godet edhe gjuhën. E bën “stalinizimin e gjuhës”. Pastaj të gjitha ligësitë pasojnë pas humbjes së gjuhës. Shoqëria, kështu, ka vetëm një gjuhë që e flasin të gjithë. Kjo gjuhë është e rënduar nga klishetë, sloganet dhe parullat. Sa më pak fjalë përdor njeriu, aq më të ngushtë e ka horizontin e shikimit.

Komunistët, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shfrytëzuan gjendjen e rëndë të njerëzve të varfër dhe vepruan sipas një plani djallëzor, të menduar mirë. Sipas Marksit dhe Engelsit, qëllimi i komunistëve ishte shkatërrimi i borgjezisë dhe marrja e pushtetit politik nga ana e proletariatit. Komunisti Mosha Pijade, në seancën e parë e AVNOJ-it (KAÇKJ) në Bihaq, në vitin 1942, kërkonte krijimin e një klase varfanjakësh dhe të pastrehësh, të cilët duhej të ishin shumicë. Ai propozonte që nazistët të goditeshin pas shpine, me dredhi, pa e ditur se kush i sulmonte. Pasi ata nuk do të mund t’i gjenin sulmuesit, atëherë do të hakmerreshin, duke i ndezur fshatrat.

“Fshatarët pa kulm mbi kokë do vijnë të na bashkëngjiten, kurse ne do të bëhemi zotë të situatës. Ata që nuk kanë shtëpi, tokë e bagëti, shumë shpejtë do të na bashkëngjiten, sepse ne do t’u premtojmë plaçkë. Do të jetë më vështirë me ata që kanë ndonjë pronë. Ata do t’i joshim me ligjërata, me shfaqje teatrore dhe me propagandë. Kështu, gradualisht, do t’i përshkojmë të gjithë krahinat. Fshatari që ka shtëpi, tokë dhe bagëti, punëtori që merr rrogë dhe ka bukë për ne është i pavlefshëm. Ata me patjetër duhet t’i shndërrojmë në të pastrehë, në proletarë. Vetëm fatkëqijtë bëhen komunistë, prandaj patjetër duhet të shkaktojmë fatkeqësi, t’i demoralizojmë masat, sepse ne jemi armiq të përbetuar të mirëqenies, rregullit dhe paqes”, shkruan Pijade.

Mosha Pijade nuk tha asgjë më shumë se sa thuhet në Manifestin Komunist, të cilin e kishte përkthyer në serbisht. Më pas pushteti, që të kontrollohej, iu “shpërnda” proletarëve, të cilët u ndjenë “të rëndësishëm”. Ata edhe pse hiqeshin si njerëz “të fisëm”, në çdo veprim i tradhtonte vetëdija e proletariusit.

Në Tetovë ende një shkollë e mban emrin e komunistit Mosha Pijade. Shumë shkolla tjera kanë emra komunistësh. Nuk është vepruar sikurse Polonia apo Ukraina, të cilat i hoqën emrat e institucioneve, rrugëve, shesheve, që lidheshin me periudhën komuniste.

Përderisa nuk arrijmë ta ndryshojmë modelin kulturor e shoqëror, do të vazhdojmë të gënjehemi me slogane. Politikanët, si në komunizëm, do t’i projektojmë si supermenë, mbretër, perandorë. Do të udhëhiqemi nga kultet e individëve. Do të përqendrohemi në kultin e liderit dhe jo në efikasitetin e sistemit. Do të mendojmë për bukën e përditshme, që duhet të na sigurojnë ata që i zgjedhim. Pastaj nuk do t’u kërkojmë përgjegjësi. Dhe, sërish do t’i zgjedhim, duke besuar në “ardhjen e ditës së re”.

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori