LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me disa kompani për trajnim dhe punësim të të rinjve

Klubi i Prodhuesve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me disa kompani për trajnim dhe punësim të të rinjve

Në kuadër të zbatimit të programit për trajnimin në punë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK), sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me kompanitë prodhuese të cilat janë pjesë e këtij projekti.

Kompanitë të cilat nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit janë Reks, Flexograf, Sela Impeks dhe Dhemetra, biznese këto të cilat do të mundësojnë punën praktike e të rinjve nga komuna e Gjilanit, Kaçanikut, Vitisë dhe Hanit të Elezit. Në përfundim të trajnimeve, pritet që disa prej përfituesve do të kanë mundësi edhe të punësohen tek këto kompani prodhuese partnere të KPK-së. Kandidatët do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i KPK-së, shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e këtyre kompanive që të jenë pjesë e programit.

“Ky program është një bashkëpunim i radhës dhe në vazhdën e projekteve që do të kenë ndikim ekonomik në vendin tonë. Këto kompani janë kompani serioze që po ju japin mundësinë të rinjve jo vetëm që të trajnohen por edhe të aftësohen profesionalisht dhe të punësohen”, tha Panxha.

Drejtori i kompanisë Flexograf, Berat Mustafa, tha që kompanitë e mirëpresin një program të tillë, duke marrë parasysh numrin e lartë të të rinjve që kërkojnë punë.

“Ky program është një mundësi shumë e mirë që t’iu ofrohet punë të rinjve, dhe një shans për këta që ta tregojnë veten. Presim që më të dalluarit të vazhdojnë punën në kompanitë tona edhe pas përfundimit të programit”, tha Mustafa.

Po ashtu, ai u shpreh që presin interesim të madh të të rinjve që të bëhen pjesë e programit.

Gjatë javëve në vazhdim Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të njoftojë se kur do të hapen edhe aplikimet për pranimin e kandidatëve në secilën komunë në të cilën parashihet zbatimi i këtij programi.

“Programi për Trajnim në Punë” mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Ky program ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional. /Telegrafi/