Këtu do të përgatiten kuqezinjtë para Euro 2016 (Foto/Video)

Kombëtarja shqiptare do të stërvitet në një zonë malore, me klimë shumë të freskët, para finaleve të “Euro 2016”. Gianni De Biasi dhe të tijtë do t’i “karikojnë bateritë” për dy javë në qendrën stërvitore sportive, në Bad Waltersdorf. Gjelbrimi mbizotëron kudo aty, ndërsa kushtet për stërvitje, akomodim dhe relaksim janë maksimale.
Ky kompleks, ku kanë zhvilluar përgatitoret e tyre mjaft skuadra të njohura europiane, mes të cilave Arsenali, Real Madridi, Roma etj., ka dy fusha stërvitore (FIFA norm), me bar natyral, dhe një fushë qendrore për ndeshjet (FIFA norm), me bar natyral.
Kjo qendër ndodhet afër stadiumit, ku do të luhet miqësorja e 29 majit me Katarit. Mësohet se kuqezinjtë do të vendosen aty gjatë fundit të muajit maj dhe do të qëndrojnë derisa të nisen për në rezidencën e tyre, të përcaktuar tashmë, në Francë, tri ditë para ngritjes së siparit të “Euro 2016”. Pra, edhe miqësorja me Ukrainën do të jetë e ndërfutur në këtë fazë përgatitore të kombëtares shqiptare. Më herët, faqja zyrtare e kësaj qendre të njohur stërvitore në Austri kishte paralajmëruar se kuqezinjtë, finalistë të Kampionatit Europian, do të ishin bujtësit e saj për afro 20 ditë, transmeton telesport.al.
“Kombëtarja e Shqipërisë, një tjetër pjesëmarrëse në finalet e “Euro 2016”, mund të përgatitet në Steiermark (Styria) para Kampionatit Europian, që do të luhet nga data 10 qershor deri më 10 korrik të këtij viti në Francë. Trajneri i Shqipërisë, Giovanni de Biasi, ka vëzhguar nga afër kampin stërvitor në Bad Waltersdorf. Përfaqësuesja shqiptare e ka marrë në konsideratë si kamp trajnimi për t’u përgatitur për ngjarjen e madhe të verës.
Të dyja vendndodhjet, Bad Radkersburg dhe Bad Waltersdorf, u vizituan nga trajneri De Biasi, i shoqëruar nga drejtori i këtij kompleksi stërvitor, Kian Walizadeh“. Kështu shkruhej në lajmin e faqes zyrtare në internet. Fjala është për një rajon turistik për vetë Austrinë dhe të tjerët, që vijnë nga jashtë vendit. Konsiderohet si “zemra e gjelbër” e Austrisë. Që nga viti 1996, disa nga futbollistët më të mirë të botës e kanë zgjedhur këtë kompleks si vend për stërvitjet parasezonale me skuadrat e tyre.
























































