0Shares

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Selim Selimi, ka thënë se presioni kryesor për heqjen e taksës po bëhet nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tjerë.

“Presioni kryesor bëhet nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tjerë…Presioni është serioz”.

Selimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se këtë presion Bashkimi Evropian po e mbështet në arsyetimin se duhet të bindet Serbia për t’u ulur në bisedime.

Ai tha se taksa e vendosur nga Kosova është arsyetuar edhe në CEFTA dhe si e tillë nuk është e panjohur edhe për vendet e tjera të zhvilluara.

“Ne nuk e kemi zbuluar “ujin e nxehtë”. E kemi gjetur një nen që na ka dhënë këtë fuqi. Kemi mësuar nga partnerët tonë ndërkombëtar. Kemi mësuar taksën nga SHBA, Franca, Kanada. Ata kane vendosur taksën për arsye ekonomike, ne e kemi vendosur për shkak të ekzistencës sonë”.

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka njohuri nëse ka kërkesë nga Presidenti të hiqet taksa.

“Sa kam qenë unë në takime shtetërore, nuk ka pasur kërkesa të shkruara për heqje të taksës. Unë e di që taksa është vendosur nga Qeveria”.

Selimi ka thënë se kërkesa e kryeministrit Haradinaj për taksën ka qenë e qartë.

“Kryeministri e ka thënë se e suspendojmë taksën nëse arrihet në tavolinë njohja e Kosovës. Nëse nuk arrihet njohja e kthejmë taksën”, tha ndër të tjera Selim Selimi./Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)