LAJMI I FUNDIT:

KESCO: Kemi pranuar vendimin e ZRRE-së, ka paqartësi se si duhet të veprojmë

KESCO: Kemi pranuar vendimin e ZRRE-së, ka paqartësi se si duhet të veprojmë

KESCO njofton konsumatorët se ka pranuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) vendimin për shtyrjen e ekzekutimit të tarifave të energjisë elektrike të marrë më 8 shkurt 2022.

Sipas KESCO, ky vendim që është dërguar nga rregullatori ka paqartësi se si duhet të veprohet.


“Për të shmangur keqkuptimet të cilat potencialisht mund të prekin konsumatorët, ne kemi kërkuar sqarime nga ZRRE. Sapo të marrim një përgjigje dhe sqarim nga rregullatori se si të veprojmë, ne do të ndjekim udhëzimet në tërësi. Pavarësisht nga zhvillimi në këtë proces që ka ardhur si rezultat i vendimit të fundit të gjykatës dhe udhëzimeve të pritshme që do të marrim si operator nga ZRRE-ja, dëshirojmë t’i sigurojmë konsumatorët që nuk do të dëmtohen në asnjë rrethanë”, thekson KESCO.

Po ashtu, KESCO thotë se ky proces do të jetë transparent dhe do t’iu shpjegohet në detaje konsumatorëve.

“Çdo proces, i cili do të bazohet tërësisht në udhëzimet e ZRRE-së, do të jetë transparent dhe do t’iu shpjegohet në detaje konsumatorëve. KESCO ka qenë gjithmonë në anën e konsumatorëve. Kjo është dëshmuar në praktikë edhe kohët e fundit, kur vullnetarisht kishim zgjeruar pragun e shpenzimeve, në mënyrë që sa më pak konsumatorë të prekeshin nga tarifat e reja gjatë muajit shkurt, duke mbuluar vet shpenzimet mbi prag për një pjesë të tyre. Në bazë të vendimeve të organeve kompetente, ne si kompani ekzekutive do të veprojmë me përgjegjësi ashtu siç kemi vepruar në çdo rrethanë. Ne mbetemi të përkushtuar për të bërë më të mirën për klientët, edhe në këtë kohë të vështirë”, përfundon kompania.

Anulimi i vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës – të gjitha reagimet rreth aktvendimit të Gjykatës së Apelit
Lexo po ashtu Anulimi i vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës – të gjitha reagimet rreth aktvendimit të Gjykatës së Apelit

Ditë më parë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE-ja.

Apeli thotë se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.

ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj. /Telegrafi/