LAJMI I FUNDIT:

Kavalishenca – mes gjurmëve të komunizmit dhe natyrës së mahnitshme shqiptare

Kavalishenca –  mes gjurmëve të komunizmit dhe natyrës së mahnitshme shqiptare

Kur nisesh për pushime në bregdetin shqiptar apo vizitë qoftë njëditore, është e pamundur të mos mahnitesh me bukuritë që natyra ka bekuar atë vend.

Shpesh dëgjojmë e bëhemi pjesë e diskutimeve të politikave të turizmit në Shqipëri ku nuk mungojnë as gjurmët e sistemit komunist, madje është për t’u habitur se si në një pjesë të vogël, pjesën më të gjelbëruar të plazhit të Durrësit dhe Kavajës, këto gjurmë ndihen kaq të gjalla.


Rrugës së Durrësit pa vajtur në Golem gjendet Kavalishenca – (vend-pushues apo rehabilitues i cili është përdorur që në kohën e Enver Hoxhës).

E pozicionuar gjeografikisht pothuajse 8 kilometra nga qyteti i Durrësit ky vend është i ndarë edhe fizikisht nga pjesa tjetër e plazheve.

Emrin Kavalishencë e ka marrë nga frëngjishtja “Cavalesence” që nënkupton, vend-qëndrim për personat e sëmurë, kryesisht të shërbimit ushtarak, të cilët e kanë përdorur për t’u rehabilituar.

Pas komunizmit, ky vend ka ndryshuar emërim duke u quajtur “Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve”, pasi tanimë për çdo vit, Kavalishenca është bërë strehë relaksuese pushimi për dhjetëra familje të ushtarakëve shqiptarë.

Pak metra pasi futesh tek ky vend, sheh të pozicionuar dy ushtarakë në njërën anë të rrugës, të cilët ndjekin hijen e drunjve për shkak të temperaturave të larta.

Ata nuk lejojnë të hyjnë qytetarë të tjerë që nuk janë familjarë të ndonjë ushtaraku.

Në shikim të parë, dy ushtarët ngjajnë në kohen e Luftës Civile të viti 1943, kur postblloqet krijoheshin gjithandej – por, sapo afrohesh për të biseduar me ta, sheh që është krejtësisht e kundërta, gjendesh pranë dy ushtarëve të rinj të cilët flasin qetësisht….

Posa kalon kontrollorët, gjithçka ka sens, ka ngjyrë dhe pak shije komunizmi.

Drunjtë e mëdhenj e të trashë që janë shekullor, mbulojnë tërë pjesën e Kavalishencës. Lartësia e tyre pasqyron në tokë hijet gjigante të cilat krijojnë një fllad veror gjatë temperaturave të larta.

Qetësinë absolute e thyejnë vetëm karkalecat, shushurimat e të cilëve dëgjohen rreth e qark.

Lartë nëpër pemë sheh edhe shtëpi të vogla prej druri, që ushtarakët shqiptarë kanë ndërtuar për t’u strehuar pëllumbat e egër – një pamje sa qetësuese aq edhe e bukur.

Brenda këtij vendi, përveç qetësisë e relaksit, hapësirat e ndryshme sportive e argëtuese nuk lënë boshllëk për asgjë tjetër.

Aktivitetet sportive janë kaq të pranishme dhe zënë një vend kaq të madh në organizimin e pushimit sa të duket si një vend nga një epokë tjetër.

Posa ofrohesh pushimoreve, sheh ndërtimet arkitekturore 2-3 katëshe të modelit lindor që kanë qenë karakteristike në kohën e komunizmit.

Pas kohës së komunizmit, këto ndërtesa kanë ndryshuar pjesërisht, duke i dhënë një stil klasik perëndimor. Dhomat e gjumit përbëjnë stil të njëjtë në secilën ndërtesë apo “godinë”, siç e quajnë këtu.

Brenda tyre, gjenden krevate dykatëshe me konstrukt të hekurt, të cilat me gjasë nuk janë hequr që nga koha e komunizmit.

Po që se e ke zakon të zgjohesh herët, kënaqësinë e mëngjesit ta jep lindja e diellit buzë detit. Qetësia thyhet vetëm nga valët të cilat po të shikosh për një çast, zhduken në pafundësi.

Në mbrëmje gjithçka është ndryshe – energjia e tërë ditës në plazh konsumohet pasi të perëndon dielli.

Një kafe-bar aty pari, që përveç që servon ushqime të ndryshme përfshirë ato tradicionale, tërheq pushuesit për të kërcyer e vallëzuar.

Energjia e të rinjve për të vallëzuar bën që të tërheq vëmendjen e të moshuarve të cilët i shikojnë teksa hidhen andej e këndej.

Por, diçka që me zgjuan kureshtjen ishin vallëzimet me këngë kosovare. Në fakt nuk e prisja, pasi kujtoja që në një ambient ku ka vetëm qytetarë të vendeve të ndryshme të Shqipërisë, do duhej të mbizotëronte kënga tradicionale e atyre zonave.

Duhet përmendur se, Kavalishenca, gjatë viteve 1999, kur Kosova ishte ende në lufte me Serbinë, deri në vitin 2003, ka qenë, vend-stacion i NATO-s, ndërkaq nga viti 2010, po në këtë vend është vendosur Komanda e Forcave Detare.

Po ashtu nga viti 2016, për çdo vjeshte në këtë vend, qëndrojnë trupat ushtarake angleze, të cilët zhvillojnë stërvitjen e përvitshme “ Albanian Lion”./Telegrafi/