LAJMI I FUNDIT:

Katër vendet arabe vazhdojnë bojkotin ndaj Katarit

Katër vendet arabe vazhdojnë bojkotin ndaj Katarit

Shefi i diplomacisë së Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir njoftoi sot se bojkoti ndaj Katarit do të vazhdojë, pasi që ky shtet refuzoi të pranojë kushtet, të cilat përmes Kuvajtit si ndërmjetës ia dërguan katër vendet arabe – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahrejni.

“Bojkotimi mbetet në vend”, tha Al-Jubeir në konferencën për media në Kajro, pas takimit me kolegët nga Egjipti, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, transmeton AFP.


Shefi i diplomacisë së Katarit, sheiku Mohamed bin Abdulrahman al-Tani ka thënë dje se është e pamundur që të përmbushen kërkesat e vendeve arabe, pasi që ato “janë jo reale dhe të pazbatueshme”.

Shuarja e televizionit Al-Jazeera, ulja e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe mbyllja e bazës ushtarake turke janë disa nga 13 kërkesat, të cilat shtetet arabe i kanë dërguar Katarit për miratim.

Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i kanë dërguar Katarit listën me kërkesa, të cilat duhet përmbushur nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet diplomatike dhe ekonomike.

Katari ka hedhur poshtë akuzat e vendeve arabe se po e financon terrorizmin dhe po destabilizon rajonin.

Kërkesat shtetit të Katarit ia ka dërguar Kuvajti, i cili është ndërmjetës në zgjidhjen e krizës.

Në mesin e kërkesave janë disa kushte, për të cilat Katari ka bërë me dije se nuk do t’i përmbushë, siç është shuarja e Al-Jazeera. Vendet arabe kërkojnë nga Katari që të paguajë kompensimet për humbjen e jetës dhe humbjet tjera financiare, të cilat i ka shkaktuar politika e Katarit gjatë viteve të kaluara. Shuma e kompensimit, siç thuhet, do të konfirmohet në koordinim me Katarin.

Katari duhet të ndalojë financimin e të gjitha grupeve ekstremiste, të cilat SHBA i konsiderojnë si terroriste, përfshirë Shtetin Islam, Vëllazërinë Myslimane, Hezbollahun libanez dhe degën e Al-Kaidës në Siri, të njohur si fronti Nusra.

Nga Katari kërkohet që të mbyllë përfaqësitë diplomatike në Iran, të dëbojë nga shteti pjesëtarët e Gardës Revolucionare të Iranit dhe të respektojë sanksionet amerikane të vendosura ndaj Iranit.

Në listë kërkohet edhe ndalimi i bashkëpunimit ushtarak me Turqinë brenda vendit dhe harmonizimi i politikave ekonomike, ushtarake, sociale, politike me Këshillin për bashkëpunim të vendeve të Gjirit Persik, grup rajonal ky i cili është krijuar me qëllim të luftimit të ndikimit të Iranit.