Obama me mesazh për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka përcjellë një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, ku vlerësoi rëndësinë historike të Deklaratës së Pavarësisë dhe bëri thirrje për mbrojtjen e demokracisë.
Në mesazhin e tij, Obama thekson se ideja e vetëqeverisjes ishte një hap radikal në vitin 1776, duke kujtuar se nga Revolucioni Amerikan lindi Deklarata e Pavarësisë, e cila tha se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe gëzojnë të drejta të patjetërsueshme.
Sipas Obamës, Kushtetuta dhe Karta e të Drejtave krijuan një kornizë që u ka dhënë mundësi brezave të mëvonshëm ta bëjnë vendin “gjithnjë e më të përsosur”.
Ish-presidenti theksoi se për më shumë se dy shekuj, përmes protestave, peticioneve, grevave dhe angazhimit qytetar, amerikanët kanë zgjeruar kuptimin e shprehjes “Ne, populli”, duke përfshirë gjithnjë e më shumë qytetarë në të drejtat dhe liritë demokratike.
Në përfundim të mesazhit, ai deklaroi se puna për demokracinë nuk ka përfunduar.
“Tani nuk mund të bëhemi të vetëkënaqur. Kemi ende shumë punë për të bërë për të mbrojtur demokracinë tonë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”, shprehet Obama. /Telegrafi/








































