“Diktatorët gjithmonë gënjejnë për të kaluarën — por shumë shpesh të tregojnë saktësisht se çfarë do të bëjnë,” ka deklaruar Garry Kasparov, duke komentuar politikat dhe qëndrimet e presidentit rus Vladimir Putin.

Kasparov argumenton se mënyra se si Putin e ka interpretuar historinë është një tregues i qartë i objektivave të tij afatgjata.


Sipas tij, që në vitin 2005, Putin e kishte cilësuar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”, një deklaratë që Kasparov e sheh si sinjal të qartë të nostalgjisë për një rend të vjetër perandorak dhe përpjekjeve për ta rikthyer atë.

Ai gjithashtu kujton fjalimin e Putinit në Konferencën e Sigurisë në Mynih në vitin 2007, ku presidenti rus kritikoi ashpër rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi dhe NATO.

Sipas Kasparov, ky moment shënoi një kthesë të qartë, ku Rusia filloi të sfidonte hapur strukturën e sigurisë evropiane dhe amerikane.

Në analizën e tij, Kasparov thekson se Ukraina është objektivi më i menjëhershëm i kësaj politike, por jo pika përfundimtare. Ai pretendon se synimi strategjik i Putinit është më i gjerë: rikthimi i një forme perandorie ruse dhe shtyrja e NATO-s përsëri në kufijtë e vitit 1997, duke ndryshuar ekuilibrat e sigurisë në Evropë.

Sipas tij, problemi kryesor është se shumë vende evropiane ende nuk po i marrin seriozisht këto paralajmërime dhe vazhdojnë t’i shohin si retorikë politike.

Ai paralajmëron se kjo qasje është e rrezikshme, duke theksuar se situata nuk duhet trajtuar më thjesht si një “kërcënim i mundshëm”, por si një rrezik real dhe i vazhdueshëm për stabilitetin ndërkombëtar. /Telegrafi/