Kaos te Anglia para ndeshjes së parë, hajdutët godasin bazën e “Tre Luanëve”


Kombëtarja e Anglisë ka pësuar një goditje të papritur para fillimit të Kupës së Botës 2026, pasi pajisjet e saj stërvitore janë vjedhur në Kansas City, vetëm pak ditë para ndeshjes së parë të turneut.
Anglia ka zgjedhur Kansas City si bazën e saj gjatë Botërorit, ashtu si Argjentina dhe Holanda, ndërsa lojtarët dhe trajneri Thomas Tuchel pritet të mbërrijnë atje të shtunën pasdite.
Sipas raportimeve të mediave britanike, përfshirë BBC dhe Daily Mail, automjeti që transportonte pajisjet e stërvitjes së “Tre Luanëve” drejt kompleksit Swope Soccer Village është sulmuar nga hajdutët.
Ngjarja ndodhi gjatë transportimit të materialeve, ndërsa policia lokale ka arrestuar dy persona në lidhje me rastin. Megjithatë, deri më tani nuk është rikuperuar asnjë nga pajisjet e vjedhura.
Mes sendeve të zhdukura janë këpucët e futbollit të disa prej yjeve të Anglisë, topat e stërvitjes, pajisje të stafit teknik, uniforma dhe materiale të tjera të nevojshme për përgatitjet e skuadrës.
England have been victims of a theft of their training equipment, after vehicles transferring kit to their Kansas City training base were broken into. pic.twitter.com/UaIhSTVrle
— BBC Sport (@BBCSport) June 13, 2026
Madje, sipas raportimeve, Anglisë i ka mbetur vetëm një top për stërvitje pas incidentit.
Federata Angleze e Futbollit ka nisur menjëherë procedurat për sigurimin e pajisjeve të reja, në mënyrë që përgatitjet për ndeshjen hapëse ndaj Kroacisë të mos ndikohen seriozisht.
Ky incident përbën një fillim aspak ideal për skuadrën e Thomas Tuchel, e cila synon të fitojë trofeun e parë madhor që nga Kupa e Botës e vitit 1966.
Anglia vjen në turne pas fitoreve në ndeshjet miqësore ndaj Kosta Rikës dhe Zelandës së Re, por humbja e pajisjeve stërvitore ka krijuar një problem të papritur në prag të debutimit në Botëror.
Përveç Kroacisë, në grupin L bëjnë pjesë edhe Gana dhe Panamaja. Dy skuadrat e para do të sigurojnë kualifikimin direkt në fazën e eliminimit, ndërsa edhe vendi i tretë mund të ketë mundësi për të avancuar./Telegrafi/




































