LAJMI I FUNDIT:

Kanuni dhe pesha e gurit

Kanuni dhe pesha e gurit

Nga: Ilir Seci

Fmijë i vogël kam qenë nji pranverë, kur kisha shkue te dajët e mi dhe me atë shendin e harenë e nipit te dajët, dola me ndihmue edhe une me ldirë arat para se me thye tokën me plug. Me u ldirë arat duheshin hjeke gurët, duheshin shkoqë çepujt e kollomoqit të mbetuna qysh nga vjeshta, kur ishin korrë arat. Çepujt e kollomoqit i mblidhshim në anë me e i djegë kurse gurët i qitnim në anë te gardhi. Të tanë ishim shpërnda tue ldirë gurë e hjekë çepujt dhe për mos me mbete përmbas edhe unë sa i pashë do gurë në anë shkova me i mbledhë. As ua kisha ngjitë mirë dorën atyne gurëve, kur daja me bërtiti: “Nipash mos prek aty!” Nga mënyra se si me tha unë u ngriva, e mbaj në mend si sot si shtanga, për nji moment thashë se mos daja kishte pa ndonji gjarpën aty ku dojshe me prekë unë… Rrebtësia e zanit dhe shprehja e ftyrës së tij më bane me u ngri…, mbasi nuk pashë gjarpën mendova se ku gabova… Daja si të kish qenë tue lexue mendimet e mia tha :


– “Nipash mos prek aty, se asht guri i kufinit me dishmitarët e vet.”

Unë solla kryet me pa ma kjartë e dallova nji gur të madh qarkue me nja dhetë a dymbëdhetë gurë të vogjël…

– “Nuk ban kurrqysh me i prekë ato gur” – tha daja, – “nuk ban me i luejtë… N’bazë të Kanunit te Maleve, thuhet se eshtnat e vorrit e guri i kufinit janë baraz. Me lujt kufînin asht nji si me lujt me eshtnat e të dekunve.”.

Edhe sot e kësaj dite e ruej në mendje atë imazhin që përftova atë moment aty kur gurët e vogjël m’u dukën si do kërdhoklla eshtnash që kisha pa nji vjeshte, kur ullaku i shiut pat gërrye do vorre në katund tonin dhe pat qitë jashta do eshtna që na fmija i kqyrnim tanë kureshtje përzie me frikë.

Kaq e madhe asht fuqia shprehëse e Kanunit…

Kanuni i lashtë i Maleve Tona ndryshe nga shumë kanune tjera në tanë botën ka edhe veçantsinë se asht tekst figurativ, asht tekst poetik mundena me thanë me plot gojën… kqyrnie këtë rreshtin:

“Guri i kufinit ka dishmitarë mbrapa.”

Rresht që gjindet i shkruem të:

– Krye i trembdhtët.
– Kufini.
– Nye i pesëdheteshtatët.

– Kufijt e tokës nuk luhen.

§.238. Kufini përbâhet prej gurësh të mdhaj e picigiatë edhè ngulen sà nen, aq mbi dhé. Për kufi mund të sherbejë edhè ndo’i landë e montueme.

“Guri i kufinit kà dishmitarë mbrapa”.

§.239. Guri i kufinit kà per rreth dishmitarë. Këta jânë a gjashtë a dymbdhetë paperdhokë (gurë të vogjël), të cillt vorrohen nën dhé rreth e rreth prit të kufinit.

§.240. Në të ngulun të kufijve, posë shpijave nder fjalë, duhet të jenë edhè pleqt e katundit, pleqt e flamurit e sà mâ shum prej të rish e fmish e edhè prej katundesh të rrethit, qi të mbahet në mend kufini.

§.241. Se e cilla tokë, po kje arë a livadh, kopshtë a vêshtë, prozhem a zabel, xânë a ograjé, a rrethi i shpis, katundi me katund a Flamuri me Flamur e shpija me shpi, kan të damet me kufi.

§.242. “Kufini i ngulun nji herë, nuk luhet mâ.”

Asht bash kjo gjuha si teksture poetike e Kanunit që e ka kthye ate në doke, jo çdo kushtetutë tjetër e ka këtë fat. Zhdërvjelltësia gjuhësore dhe forca e figurativitetit poetik e kanë ba Kanunin me u ruejtë e përcjellun nga nji brezni te tjetra pa nevojën me qenë i shtypun në libër. Kanuni i përcjellun ashtu asht ba njish me vetë qenësinë e malsorëve, njish me vetë jetën. Zor se gjindet një malsor që nuk e din përmendsh thelbin e kanunit, kurse me i dvetë për kushtetutën moderne se mbajnë në mend asnjë nen të vetëm.

Guri i Kufinit… Nuk doket shumë, apo jo? Asht nji gur dikund në nji ane, që shënon nji fillim dhe një fund; një linjë pronësie…, por asht punë e madhe. Këtë e mëton teksti i Kanunit citue ma nalt.

Dhe, në atë tekst ka nji theks të fuqishëm të moçëm sa vetë bota, theks që e gjajmë edhe në Dhiatën e Vjetër, te libri i dytë “Libri i Proverbave”… Te proverbi 22:28, ku shkruhet:“Mos e luej kurrë nji gur kufini që e kanë vndue të moçmit.” (Ne transgrediaris terminos antiquos quos posuerunt patres tui.”)… Asht theksi se Zoti ka vendue gurë kufini në fjalën e tij. Paraardhësit tanë shpirtnorë përmes librave kanë vendue nji model për ne si me jetue, percjellun përmes këtyne monumenteve të lashta si kta gurë. Gurë Kufinit… Këto munden me qenë doktrinat tona themelore, modeli ynë për me jetue, gurë, sinorë si thonë në Toskni, pra gurë ose sinorë moralë.

Në Izraelin e lashtë megjat ose kufini ishin të shenjta, sepse për të tanë prona ishte nji dhuratë nga Zoti. Ashtu si vetë jeta që asht dhuratë nga Zoti dhe Ai ka përcaktue gurët e Tij, kufinjtë për të mirën tonë. Prandaj edhe lëvizja e gurëve kufitarë te Libri i Proverbave do me thanë vjedhje: Vjedhje nga pronari i asaj toke dhe mosrespektim ndaj Zotit, dhanësin e vendit. Kush ban atë vjedhje ka ba sakrilegj…

Kanuni thekson: “Shkaf â’shpí, si qet tym, do të két pronet e veta” (Kreu. 12, para. 213); “Plangu i shpis ká oborr e kopshtë, ká vêshtë e arë, ká livadh e xâna, ká udhë e shteg, ká kufîj si në mal, si në vrrî, si në fushë” (para 214). Paragrafi 216 përmend: “Ara, vêshta, kopshti e livadhi, xâna, prozhme e zabele, jânë të dame me kufîj”… Kanuni thotë se “Kujria âsht vendi, si e ká perbashkarisht nji katund a nji flamur per kullosë, per landë, per drû, per gjojë e per tjera nevojë”. “Kujrija nuk dahet; por, sá shpí a tyme të janë në katund, kan tager në kujrí të katundit, e sá tyme të janë në flamur, kan tager në kujrí të Flamurit” (par. 232, 233). Kufijtë e pronavet si private ashtu dhe të përbashkëta respektoheshin nga të tanë. “Kufîni i ngulun nje herë, nuk luhet mâ” (Kreu. 13, para. 242), dhe “Eshtnat e vorrit e guri i kufinit faqe Kanunit jânë baraz. Me lujt kufînin âsht nji si me lujt me eshtnat e të dekunve.” (par 243). Kanuni parashikonte dënime të randa për ata që shkelnin rregullat. Për shembull, “Njiqind herë në ditë në hîftë tufa e huaj në mal të huej, aq berre do të lajë i zoti i tufës” (para. 287). Lidhun me damtimet e shkaktuara nga dhitë, Kanuni shkruen : “Nji dhí thán nji vrrî” (para.745)…

Janë të fella rranjët e besimit te Kanuni, janë rranjë që janë ngulitë në psiken tonë gjatë shekujve të gjatë mbushun me travaje, kur barometri moral çoroditej e rrshqitja në të keqen ishte aq e kollajshme. Por, Malsori u mbajt fort në ganxhën e Kanunit, ganxhat e forta bash si ato ganxhat e hekurit që deri vonë gjindeshin në Majën e Hekurave, ganxhat ku legjenda difton se janë ankorue anijet “n’at vaktin, kur detnat patën mblue boten.”

Ganxhat e ngulina në shkamb ose kersh… Ne kershin e Majës së Hekurave. Guri ose kershi që janë me aq randësi në jetën e malsorit, saqi malsori, kur i duhej me ba be e bante benë “Pasha Kishën e e pasha Rrasën.”

… Malsori si me e pas e ditë që Jezusi ka thanë për Shën Pjetrin: “Mbi këtë gur kam me e ngritë Kishën.”

Pra, guri asht para… Guri i megjës, guri i kufinit, sinori moral… Në Malsi pesha e gurit mendohej si ma e randa…, kur dikush bante nji barrë dru në mal dhe për nji arsye ose tjetrën nuk mundej me e marrë atë ditë, mjaftonte me ia vndue nji gur përsipri dhe për shtatqind vjet s’e prekte kush… dhe jo veç barrën e druve, por çdo barrë tjetër, thesin e miellit, dueqët me mallna, kur kalonte Qafës se Agrit…, sepse besohej se ba me e prekë nji barrë me gurin përmaje saj në jetën e përtejme ai gur kishte me të randue në shpirt përjetësisht…

Kur njeh tana këto gjana dhe mendon ngeshëm me të drejtë njeri mundet me besue se i madhi Petro Zheji vërtetë ka pase të drejtë, kur ka shkrue se fjala “betohem” në italisht “giurare” – asht me rranjë shqipe “gur” , bazue ne benë si e kanë ba malsorët – “Pasha këtë gur!” …

Në trend Kultura

Më shumë
I kanë thënë të mençurit...

I kanë thënë të mençurit...

Kulture
FJALË DASHURIE

FJALË DASHURIE

Fjala+
KUR U FUTA

KUR U FUTA

Poezi
PUTHJA

PUTHJA

Poezi
Të gjithë janë krijues

Të gjithë janë krijues

Kulture
KTHIM NË SHTËPI

KTHIM NË SHTËPI

Fjala+
Kalo në kategori