Harry Kane dha një përgjigje domethënëse kur u pyet për të ardhmen e tij, mes spekulimeve që e lidhin me një rikthim befasues në Ligën Premier.

Kane ka shijuar një periudhë jashtëzakonisht produktive te Bayern Munich që prej transferimit nga Tottenham për 86 milionë funte në verën e vitit 2023.


Ai shënoi golin e 100-të për klubin në fitoren 4-0 ndaj Werder Bremen të premten, duke arritur këtë arritje në vetëm 104 ndeshje, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 105 ndeshjesh të mbajtur nga Cristiano Ronaldo dhe Erling Haaland.

Pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera në Gjermani, kapiteni i Anglisë ka qenë subjekt i spekulimeve të shumta për një transferim të mundshëm, me një largim që është përfolur së fundmi.

Fjalët për një transferim u shtuan pas zbulimit të një klauzole "sekrete" në kontratën e tij.

Por Kane, i cili ka më pak se dy vite të mbetura në marrëveshjen e tij aktuale, ka hedhur poshtë spekulimet që e lidhin me një rikthim në elitën e futbollit anglez.

"Jo, jo për momentin. Jam shumë i lumtur këtu. Kam edhe dy vite kontratë. Po e shijoj çdo moment. Kthimi në Angli nuk është në mendjen time. Po e shijoj kohën me ekipin, me trajnerin, dhe shpresoj të vazhdojmë të kemi sukses”.

Kane u pyet më tej për të ardhmen e tij te Bayern, në mes të interesimit të raportuar nga Manchester United dhe Barcelona.

I pyetur nëse mund të nënshkruajë një kontratë të re me Bayernin, ai dha një përgjigje mjaft diplomatike.

"Kjo është diçka për të cilën mund të diskutojmë. Kam edhe pothuajse dy vite, kështu që nuk ka arsye për panik. Mendoj se ata janë të kënaqur me mua, dhe unë jam i kënaqur me ta”, përfundoi anglezi./Telegrafi/

telegrafi sport app