Neymar ka folur për peshën e madhe emocionale të rikthimit në arenën ndërkombëtare, duke pranuar se u mbush me lot pasi u përfshi në listën e Brazilit për Kupën e Botës 2026. Ylli i Santosit u ndal te rrugëtimi i vështirë pas një dëmtimi afatgjatë, për të siguruar një vend në planet e Carlo Ancelottit.

Pasi emri i tij u konfirmua në listën përfundimtare të Ancelottit për Botërorin, Neymar u paraqit në Santos TV për të shprehur thellësinë e ndjenjave të tij.


Numri 10 i Santosit, i cili kaloi një periudhë të gjatë jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë të pësuar në tetor 2023, zbuloi se njoftimi i grumbullimit i solli një shpërthim lehtësimi dhe mirënjohjeje për gjithë përpjekjen e bërë gjatë rikuperimit.

“Qava për disa orë, nuk ishte e lehtë të arrija deri këtu. Pasi u shpall emri im, e kupton se ia vlejti ta kapërceja gjithçka, ta duroja gjithë përpjekjen”, ka thënë ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain.

Futbollisti beson se mbështetja që mori në qendrën stërvitore “Rei Pele” ishte vendimtare për ëndrrën e tij që të luajë sërish për kombëtaren e Brazilit, duke e konsideruar klubin si vendin e tij të sigurt gjatë muajve më të vështirë të karrierës.

“T’ju them që për mua, ashtu siç ju kam thënë gjithmonë kur u ktheva, këtu ndihem si në shtëpi. Është diçka që vështirë të shpjegohet”.

“Dua t’i falënderoj të gjithë. Ftesa ime nuk ishte vetëm për mua, ishte për të gjithë ata që janë pjesë e procesit, për të gjithë ata që ishin me mua në fushë, jashtë fushës, që u kujdesën për sigurinë, për trupat tanë, për ushqimin tonë”.

“Faleminderit për mbështetjen, për faktin që keni besuar gjithmonë tek unë. Jam këtu për t’ju falënderuar për mbështetjen gjatë gjithë karrierës sime”.

“Të gjithë jemi bashkë në këtë Brazil që po shkon drejt titullit të gjashtë”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app