Sulmuesi polak Robert Lewandowski ka marrë një ofertë konkrete nga Juventusi, ndërsa e ardhmja e tij te Barcelona mbetet ende e paqartë, raportojnë mediat italiane.

Kontrata aktuale e 37-vjeçarit me klubin katalanas përfundon më 30 qershor dhe deri më tani nuk është arritur një marrëveshje për rinovim, duke e bërë gjithnjë e më të mundshëm largimin e tij si lojtar i lirë.


Juventusi ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e tij, duke i ofruar një kontratë njëvjeçare me vlerë rreth 6 milionë euro neto, plus bonuse.

Oferta është diskutuar gjatë një takimi mes agjentit të tij, Pini Zahavi, dhe drejtorit të përgjithshëm të klubit, Damien Comolli.

Negociatat janë ende në zhvillim, ndërsa një raund tjetër bisedimesh pritet të zhvillohet në Itali gjatë muajit maj për të finalizuar detajet e mbetura.

Klubi torinez shfaqet optimist për arritjen e marrëveshjes dhe është i gatshëm t’i garantojë Lewandowskit një rol titullari, një kusht kyç për sulmuesin.

Lewandowski konsiderohet objektivi kryesor i Juventusit në repartin ofensiv, çka ka bërë që klubi të pezullojë përkohësisht bisedimet për rinovimin e kontratës së Dusan Vlahovic, e cila gjithashtu po i afrohet fundit.

Ndërkohë, interesimi nga Arabia Saudite mbetet një opsion i hapur, me sulmuesin që është i gatshëm ta shqyrtojë edhe këtë mundësi.

Nga ana tjetër, Barcelona ka paraqitur një ofertë rinovimi me pagë më të ulët, e cila thuhet se është e ngjashme me atë të Juventusit.

Megjithatë, roli i ofruar në “Spotify Camp Nou” nuk është më aq qendror, pasi Lewandowski nuk e ka të garantuar vendin e titullarit nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Sulmuesi veteran raportohet se ndihet mirë në Barcelonë, por dëshiron të mbetet konkurrues në nivelin më të lartë.

Aktivizimet e fundit si zëvendësues në ndeshje të rëndësishme nuk kanë përmbushur pritshmëritë e tij.

Barcelona tani pret vendimin e lojtarit, ndërsa largimi i tij i mundshëm do të lehtësonte ndjeshëm faturën e pagave dhe do t’i hapte rrugë afrimeve të reja për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app