Federico Bernardeschi do të largohet nga Juventusi në fund të sezonit kur t’i mbarojë kontrata aktuale.

Anësori italian kishte shpresuar të zgjaste marrëveshjen e tij me gjigantin italian, por i është konfirmuar nga klubi se ai nuk është pjesë e projektit dhe do të jetë lojtar i lirë nga 30 qershori.

Gazetari Gianluca di Marzio ka shkruar se edhe pas diskutimeve të gjata, lojtari dhe klubi nuk arritën marrëveshje dhe u vendos që t’i ndanin rrugët.

Bernardeschi ishte një objektiv nga shumë klube të mëdha në Evropë, kur ai shpërtheu në skenë në Fiorentina dhe iu dorëzua fanella prestigjioze me nr. 10 e veshur nga Roberto Baggio.

Sidoqoftë, në vitin 2017 ai zgjodhi të transferohej te Juve për 40 milionë euro, ku në start fitoi një titull të Serie A dhe Kupën e Italisë.

Bernardeschi vazhdoi të fitojë dy tituj të tjerë dhe ishte anëtar i skuadrës triumfuese të Italisë në Euro 2020.

Në total, ai ka bërë 182 paraqitje për Bianconerët, duke shënuar 12 gola. /Telegrafi/