LAJMI I FUNDIT:

Jusuf Buxhovi: “Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e shqiptarizmit”

Jusuf Buxhovi: “Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe e shqiptarizmit”

“Shqipëria duhet ta shpallë festë zyrtare 17 shkurtin dhe ta ngrisë flamurin e Kosovës përkrah atij kombëtar”

Jusuf Buxhovi, e nisi karrierën si poet dhe gazetar i kulturës në gazetën ‘Rilindja’, në vitin 1967, vazhdoi si korrespondent i saj në Gjermani, deri në fund të vitit 1980. Këtu nis ciklin e romaneve triologjike, ku prozatori në mbi dy mijë faqe përcjell dramën e mbijetesës, vazhdimësisë së jetës. Buxhovi ishte ndër themeluesit e LDK-së dhe kontribuues i shumë proceseve të rëndësishme në skenën politike të Kosovës.

Megjithatë, kësaj radhe u fokusuam në librat e tij “Historia e Kosovës”, ku ka zbardhur shumëçka lidhur me historinë e Kosovës që nga antikiteti, mesjeta e deri më sot.

Për të gjitha këto, lexoni në intervistën ekskluzive dhënë për Telegrafin.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Ztr.Buxhovi, tashmë njiheni si historian që ka shoshitur një histori të tërë dhe keni hapur shumë tema e dilema! Meqë jemi në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, a do t’i bënit një retush këtij përvjetori dhe si e shihni Kosovën sot?

Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe historike e shqiptarizmit. Këtij perceptimi historik duhet t’i shtohet edhe ai politik se shteti i Kosovës, si edhe shteti shqiptar në vitin 1913, lindën në kohën kur ishin të pushtuara (Shqipëria nga ushtritë serbe, malaziase dhe greke), ndërsa Kosova nga policia dhe ushtria jugosllave, e cila thuajse e pat rrumbullakuar etnocidin kundër popullatës shqiptare, pjesa më e madhe e së cilës ishin kthyer në refugjatë (Shqipëri, Maqedoni e gjetiu). Si në vitin 1913, edhe më 1999, Perëndimi, tash në krye me SHBA-të dhe me futjen e NATO-s në luftë, nxori nga Kosova armatën jugosllave, ndërsa, me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999, me protektoratin ndërkombëtar krijoi rrethanat që, procesi i shtetndërtimit të Kosovës, i filluar me Deklaratën për Pavarësi të 2 korrikut 1990 dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1999, më 17 shkurt 2008, të konfirmohet ndërkombëtarisht.

Theksimi i këtyre fakteve historike dhe politike ka rëndësi të madhe, jo vetëm për tra kuptuar një të vërtetë që nuk duhet harruar kurrë, por për t’u vetëdijesuar se qenia historike dhe politike jona është e lidhur me perëndimin, dhe se çdo shkitje jashtë saj, kthen te etnocidet dhe gjenocidet.

Ky ndërgjegjësim duhet të përshijë jo vetëm klasën e papërgjegjshme politike, pjesa më e madhe së cilës shtetin e ka kthyer në plaçkë, duke ia rrënuar thuajse të gjitha shtyllat e sistemit të tij dhe, për t’i ikur përgjegjësisë para historisë por edhe para ligjit, me demagogji patetike-folklorike dhe tema të shpifura, me një fjalor që të përkujton atë të ideologjisë morbide komuniste të mbylljes dhe të vetëmbylljes “heroike”, po përpiqen që të krijojnë armiqësi me miqtë tanë perëndimorë (në radhë të parë SHBA-të dhe NATON, si garantues të pavarësisë sonë), por ajo duhet të përfshijë gjithë qytetarinë, në mënyrë që të mos lejojë që të rrezikohet shteti i Kosovës dhe përcaktimi i tij perëndimor.

Ndaj, shënimi i dhjetëvjetorit të shtetit të Kosovës, në Kosovë duhet të ketë për moto: lirinë, demokracinë dhe rikthimin kah qytetërimi evropian. Ndërsa, Shqipëria duhet që 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare. Gjatë gjithë vitit, flamuri i shtetit shqiptar duhet të shoqërohet edhe me atë të shtetit të Kosovës dhe të theksohet se shteti i Kosovës bashkë me Shqipërinë thuajse rrumbullakon konceptin e Rilindjes kombëtare për bashkimin e etnisë shqiptare, por tash në çatinë e përbashkët evropiane. Ky veprim ka rëndësi të madhe, meqë ideologjinë e shekullit të kaluar rreth bashkimit kombëtar, e kthen në pragmatizëm politik të unioneve të shteteve shqiptare, me çka heq edhe spekulimin tepër të rrezikshëm të sakrifikimit të shtetit të Kosovës për këtë ide, paçka se me këtë rast harrohet se shteti i Kosovës, është projekt i Perëndimit.

Librat i keni ndarë kapituj, por secili kapitull dhe libër, ka veçantitë e veta. Sa janë ato në funksion të një tërësie sa më të kapshme, kur kihet parasysh ana sasiore?

Ndarja në libra të veçanta ka të bëjë me konceptin tradicional, që tashmë nuk mund t’i iket. Ndërsa, kapitujt janë çështje e metodologjisë. Kam bërë përpjekje që ato të jenë të rrumbullakësuara dhe të pajisura me referenca sa më të kapshme.

Ju keni nëpër duar edhe vëllimin e gjashtë e të shtatë, në kuadër të projektit “Kosova”. Çka përmbajnë këto dy vëllime?

Në dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës, me vëllime të tjera, përmbyllet studimi im voluminoz “KOSOVA”, në tri vëllime, i botuar në vitin 2012 dhe i plotësuar në pesë vëllime, në vitin 2015. Kështu, “KOSOVA” rrumbullakohet në tetë vëllime.

Vëllimi – VI (1999-2001) trajton kohën nga fillimet e protektoratit ndërkombëtar, që njihet si kohë e veprimit emergjent dhe humanitare deri te zgjedhjet e para lokale (2000) dhe ato vendore (2001), kur fillon faza e konstituimit institucional të Kosovës me marrjen e përgjegjësive. Ky libër, po ashtu përfshinë edhe luftën në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, që shpërthyen në vitet 2000-2001. Këto luftëra, i trajtoj pjesë e luftërave mbrojtëse 1912 dhe 1944/45, të cilat, përkundër marrëveshjeve të Konçulit dhe të Ohrit, mbesin të papërfunduar.

Vëllimi – VII (2002-2008) përfshin proceset që çuan te pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Vëllimi – VIII (Dokumente), përfshinë dokumentet që lidhen me lëvizjen kombëtare shqiptare që sollën shtetin shqiptar më 1912 dhe atë të Kosovës më 2008. Në këtë libër voluminoz (me rreth 1000 faqe) përfshihen Protokollet e Kongresit të Berlinit si dhe dokumentet përcjellëse, pastaj Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dokumentet nga Revolucioni Xhonturk, nga Kryengritja e Kosovës më 1912, dokumentet që lidhen me Pavarësinë e Shqipërisë 1912, dokumentet që lidhen me kohën e Princ Vidit (1914-1918), dokumentet për Komitetin e Kosovës, dokumentet nga Lidhja II e Prizrenit 1943 si dhe të gjitha dokumentet që lidhen me autonominë e Kosovës nën Serbi dhe në kuadër të Jugosllavisë 1945-1999 si dhe ato që lidhen me lëvizjen e shtetformimit nga viti 1989-1999 (Deklarata e Pavarësisë, Kushtetua e Kaçanikut e të tjera) e deri te Kushtetua e Ahtisaarit.

Ju jeni historiani i pari që keni shkruar Historinë e Kosovës, me të gjitha larushitë, mozaikun e saj, duke hedhur shumëçka në dritë, që, flinte në errësirë. Na flisni diçka për synimin tuaj dhe qasjen, pothuajse krejt tjetërfare, nga ajo që kemi mësuar më herët?

E kam thënë edhe me rastin e botimit në tri vëllime dhe e kam përsëritur edhe me rastin e botimit në pesë vëllime se “Kosova” ka të bëjë me kompleksitetin e asaj që paraqitet si Shqipëri i natyrshme në kohë dhe në hapësirë. Si e tillë, ajo shfaqet ndryshe nga Historia e Popullit Shqiptar, hartuar nga një grup shkencëtarësh të Universitetit Shtetëror të Tiranës e viti 1953, që në Kosovë, me një plotësim të vogël, do të vijë në vitin 1969 dhe po ashtu shfaqet ndryshe nga Historia e Popullit Shqiptar, hartuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë e viteve 2002-2007. Kjo e fundit, ndonëse pretendonte që të eliminonte mangësitë e Historisë së vitit 1953, që ishin të një natyre ideologjike, megjithatë, jo vetëm që nuk ia doli që ato t’i hiqte, por, sa i përket çështjeve themelore, siç ishte antikiteti, mesjeta, perandoria osmane dhe veçmas rilindja kombëtare, ato i thelloi edhe më tepër.

Ndër këto gabime materiale, gjithsesi se më flagrantet janë ato që kanë të bëjnë me flisnin për tezën ilire, pastaj vlerësimet për Bizantin dhe veçmas ato që kanë të bëjnë me pranimin e shtetit mesjetar serb dhe të kishës mesjetare serbe në përputhje me konceptin e historiografisë hegjemoniste serbomadhe të shekullit XIX të krijuar nga Naçertanja e Garashaninit.

Për fat të keq, historianët e Tiranës, por edhe ata që ua mbajnë ison në Prishtinë, i marrin për ‘shkencore’ sajesa serbe, edhe pse nga shumë burime meritore del se në mesjetë nuk ka ekzistuar kurrfarë shteti mesjetar serb, pos zhupanive dhe principatave vasale të Bizantit, faktorizimi i të cilave është bërë në përputhje me luftën për dominim midis lindjes dhe perëndimit. Në hapësirën dardane-ilire ata shfaqen nga shekulli XIII e këndej, por pa ia dalë që të krijojnë formacione shtetërore, e aq më pak shtet mesjetar. E njëjta vlen edhe për kishën ortodokse, e cila ka qenë pjesë e krishterimit, ku arbërit janë bartës të saj.

Jeni marrë me antikën, pellazgët, dardanët e deri në ditët e sotme. Nga librat del se Kosova, përherë ishte piemont i ngjarjeve të rëndësishme, madje edhe vendimtare për tërë botën shqiptare. A është kështu dhe pse është kështu?

Siç e thashë, fokusimi im shkon te antikiteti dhe ai lidhet me Pellazgët, si bartës të antikitetit. Kjo nuk e rrezikon e as që e zhvlerëson çështjen e ilirëve, për të cilën kanë qenë dhe mbesin të fiksuar shumica e historianëve në Tiranë dhe ata në Prishtinë. Përkundrazi, ajo veçse e forcon, ngaqë teorinë ilire, edhe ashtu të luhatshme e lidh me një rrënjën e vet – Pellazgët. Tek e fundit, teoria e origjinës pellazge, e pranuar me aq përkushtim nga rilindësit tanë, nuk ka pikë prej qielli, por është fryt i shkencëtarëve gjermanë (Hahni e të tjerë), të cilët nga mesi i gjysmës së shekullit XIX e nxorën në dritë. Pse nuk gjeti përkrahjen e duhur, arsyet duhet kërkuar te filohelenizmi, që kishte kaluar në çështje politike, e ku gjermanët ishin ithtarë të kësaj doktrine, që kishte për qëllim që me ‘tapitë’ e antikitetit, grekëve t’u ndërtohej shteti, edhe pse do të jenë po ata gjermanë, të cilët sapo ta marrin përsipër ndërtimin e shtetit grek (mbreti Oto i Bavarisë, pasi që t’i njihej pavarësia në vitin 1832), do të alarmojnë botën se në Greqi kishte më shumë jo grekë (arvanitas) se grekë dhe se duhej bërë diç që ky ‘defekt’ të ndreqej!

Nga studimet e vonshme del se helenizmi ishte një konstrukt që shkoi në dëm të rolit të Pellazgëve, si popull ndër më të vjetrit e antikitetit, që Grekët i ndeshën në Heladë pasi që ata erdhën aty në shekullin VIII para erës sonë dhe prej tyre morën qytetërimin dhe rendin politik. Këtë, madje, na e bën të ditur edhe Homeri dhe të gjithë autorët e antikitetit nga Herodoti e deri te Plini. Autorët e antikitetit, po ashtu, na bëjnë të ditur se Dardanët dhe Dardania ishin trungu kryesor pellazg, themelues të Trojës, por më vonë, edhe themelues të Romës, dhe se, roli i Dardanëve dhe i Dardanisë ishte ndër më të rëndësishmit në kapërcimin nga helenizmi i hershëm te ai klasik.

Sipas mendimit tim, këtu duhet kërkuar ‘arsyet’ që autorët e “Historisë së Popullit Shqiptar” të vitit 2002 injorojnë teorinë pellazge dhe anashkalojnë ose minimizojnë fare rolin e Dardanëve dhe të Dardanisë, ngaqë me ta del ndryshe pamja e historisë shqiptare! Paradoksi bëhet edhe më i madh, kur në Tiranë, teoria pellazge luftohet ose injorohet me të njëjtat argumente me të cilat kjo çështje është luftuar nga grekët dhe serbët, veçmas nga këta të parët, të cilët janë të alarmuar se nxjerrja në pah e çfarëdo lidhjeje e shqiptarëve me pellazgët nëpërmes Dardanëve dhe Dardanisë, ata i hedh në plan të dytë, ndërkohë që ata i kthen në surrogat të pellazgëve, prej nga ata kanë marrë të gjitha, madje edhe gjuhën!

Madje, mbroni tezën se edhe bërja e Shqipërisë shtet është meritë e patriotëve shqiptarë të Kosovës. Një tezë, paksa paradoksale, por, sipas jush shumë reale?

Siç e thash edhe më parë, ajo që ne quajmë sot Kosovë (Dardania), qysh nga antikiteti ishte në qendër të të gjitha zhvillimeve, mbi të cilat u mbështet qytetërimi perëndimor. Dardano-ilirët dhe Maqedonët ishin akterë kryesor shoqëror dhe politik jo vetëm gjatë perandorisë së Romës, por edhe Bizantit, veçmas pas pranimit të krishterimit. Nga sjellja e tyre u përcaktuan edhe formacionet politike, shoqërore dhe shtetërore që dolën prej tyre. Andaj, jo rastësisht hapësira dardano-ilire ishte arenë e këtyre përvijimeve dhe ndryshimeve që morën konotacionet e ndeshjes së qytetërimeve, të cilat u ashpëruan pas shfaqjes së perandorisë osmane dhe të pushtimeve të saj në të.

Në këtë kontekst, duhet parë edhe zhvillimet nga Kriza Lindore e tutje, kur Kosova, kthehet në promotor të lëvizjes kombëtare, që do të kulmojë me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, prej nga u vu në lëvizje procesi i pandalshëm i pavarësimit të shtetit shqiptar për të përfunduar në nëntor të vitit 1912. Patriotët shqiptarë, ndër të cilët duhet dalluar Hasan Prishtinën, ishin arkitekt të pavarësisë së shtetit shqiptar, edhe pse Kosova u bë kurban i saj. Kjo nuk e zvogëlon rolin e gjithëmbarshëm të rilindësve shqiptarë si dhe konceptin e shqiptarizmës mbi të cilin u ndërtua lëvizja kombëtare, pos që nxjerr në dritë rëndësinë e tyre brenda për brenda kësaj lëvizjeje. Në vëllimin e tretë (Nga Konferenca e Londrës deri te protektorati ndërkombëtar) i kushtohet vëmendje të veçantë rolit dhe meritave të kosovarëve, si patriotë shqiptarë për themelimin e Shqipërisë.

Historinë tonë për fat të keq e kanë përcjell ideologjitë e ndryshme. Ju, duket se e keni zhveshur nga ngjyrimet, paragjykimet, tendencat, shtrembërimet dhe keni ofruar vetëm fakte të qëndrueshme?

Problemi kryesor pse historiografia jonë vuan nga të metat me të cilat po përballohet është pikërisht ideologjia dhe klishetë e krijuar prej saj, të cilat për fat të keq kanë kaluar në mentalitete, të cilat po funksionojnë. Mbase, arsyet duhet kërkuar jo vetëm te ‘mentalitet’ e trashëguara, sa te skemat piramidale që rrinë mbi këto stereotike, të cilat mund të bien saora po qe se pranohen ndryshimet për të cilat u fol.

Konkretisht, po qe se pranohet teoria pellazge, po qe se rrënohen gënjeshtrat serbe për mesjetën, për perandorinë osmane, për përkatësinë perëndimore të shqiptarëve, dhe po qe se rrënohen kundrimet folklorike-patetetik rreth lëvizjes kombëtare dhe rolit të Kosovës në të, atëherë, rrënohen ‘autoritetet’ akademike shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët kanë fituar tituj, kanë shkruar libra e libra, kanë hartuar tekste shkollore, prej të cilave sigurohen honorare të majme, e të tjera, ‘rrënime’ këto që pastaj prekin edhe lidhjet klandestine kulturore të disa qarqeve, të cilat mbikëqyrin institucionet kulturore dhe shkencore në Tiranë dhe Prishtinë, ku ata kanë krijuar ‘feude’ prej të cilave ushqehet një pjesë e politikës ditore, e cila sillet ashtu si sillet dhe është në gjendje që të pranojë edhe Ahtisarin dhe të heqë dorë nga trashëgimia shumëshekullore.

Mendoni se duhet rishkruar historia e popullit shqiptar, pra ka nevojë për një retushim substancial?

Natyrisht se historia e popullit shqiptar duhet rishikuar dhe rishkruar, jo vetëm për arsyet që u cekën më lyrtë, por edhe për vetë faktin se tashmë Shqiptarët, që për fat të mirë, kanë shporrur dhunën e ideologjisë moniste dhe të diktaturave, kanë nevojë që të përgatiten për ardhmërinë në përputhje me zhvillimet që sjell qytetërimi perëndimor të cilit ata i përkasin. Nëse këtë nuk e bëjmë, atëherë do të jemi peng i stereotipeve mbi të cilat do të ushqehet primitivizmi, kuazipatriotizmi dhe gjithë ato me të cilat kanë dëshiruar të na shohin armiqtë tanë gjatë këtyre dy shekujve.

Librat tuaj kanë ngjallur shumë polemika dhe kundërthënie tek opinioni shqiptare dhe kryesisht ai serb, i cili, madje ju ka quajtur një njeri të fantazisë…

Është e natyrshme që një libër i tillë, që thyen shumë nga paragjykimet e mbi të gjitha që i kundërvihet një historiografie me plot e përplot gënjeshtra, siç është ajo serbe, të has në kundërshtime, refuzime madhe edhe intriga ndër më të ndryshmet. Kjo nuk më ka penguar e as nuk më pengon, pos që më motivon të punoj edhe më tutje në këtë drejtim. Do të isha i lumtur që ata që flasin kuturu dhe kritikojnë të merren me punë, pra të më kundërshtojnë me libra. Përndryshe, fjalët i merr era, ndërsa veprat mbesin.

Ku janë shqiptarët tash, veçmas pasi që kemi edhe shtetin e Kosovës dhe çka i pret në rrugën e vet?

Edhe pse bota shqiptare, nga politikat e papërgjegjshme në Tiranë dhe në Prishtinë ndodhet në një krizë të thellë qeverisëse, megjithatë ajo, me shtetin shqiptar dhe me shtetin e Kosovës (ky i fundit paraqet të arriturën më të madhe historike të shqiptarizmit), nuk e ka të rrezikuar ekzistencën, ngaqë ka arritur koordinatat e Rilindjes Kombëtare, që të bëhet pjesë e qytetërimit perëndimor. Por, kjo nuk do të thotë se me këtë përfundon çdo gjë. Përkundrazi, shqiptarët kudo që janë, kanë për detyrë që të veprojnë që të forcojnë pozitat e tyre në kuadër të botës perëndimore.

Librat që trajtojnë rrjedhat historike kryesisht hartohen nga institucionet. Sa ka qenë e vështirë të “vilni” dokumentet që i vërtetojnë pohimet tuaja për shumë çështje që trajtohen?

Ka mbi tridhjetë vjet që punoj intensivisht në vjeljen e dokumenteve meritore, siç janë ato gjermane, austriake, jugosllave, ruse dhe të tjera. Ajo që më ka ndihmuar më së shumti ka qenë qëndrimi im në Gjermani si korrespodent i “Rilindjes” nga vitet e shtatëdhjeta e këndej, kohë të cilën e kam shfrytëzuar për të futur në arkivat gjermane.

Ç’vend zë historia e shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë?

Po qe se shikohet nga pikëpamja historike, qoftë edhe nga historiografia që mohon çështjen shqiptare, shqiptarët zënë vendin qendror në atë që quhet Evropë Juglindore. “Dilemat” ilire, që i shfaqë historiografia serbe dhe ajo ruse, hiqen po qe se shqiptarët do të lidhen me lashtësinë pellazge. Kjo do të varet shumë nga koncezusi i historiografisë shqiptare rreth kësaj çështje, në mënyrë që prania jonë në antikitet të mos jetë vetëm periferike, por çështje fondamentit të saj, si amzë e qytetërimit botëror. Zgjerimi i kësaj game është i domosdoshëm, meqë me të eliminohen faktorët e mohimit apo të përvetësimit të saj nga të tjerët.

Sivjet po shënohet edhe 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Si historian, si e shihni figurën e tij?

Shpalla e 550 vjetorit të Skënderbeut në Shqipëri vit i Skënderbeut (ngjashëm duhet të veprohet edhe në Kosovë dhe në Maqedoni), së paku formalisht, kthen “nderin e humbur” të shqiptarëve ndaj qenies së tyre kombëtare dhe asaj shtetërore në rrethanat kur kjo ishte deshtë të ngrihej në një shkallë edhe më të lartë. Them kështu, ngaqë Skënderbeu është figura më e fuqishme identitare e botës shqiptare në përgjithësi, mbi të cilën ndërtohet ndërgjegjja e tyre kombëtare.

Sulmet që i janë bërë Skënderbeut gjatë këtyre vite (të shumtën të orkestruar nga “klubi i sllavistëve” të Vjenës, dhe armiqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarizmit nga Lindja, të pranuara edhe nga mercenarë të brendshëm), në të vërtetë janë sulme të orkestruara kundër identitetit tonë shpirtërore dhe historik, me rrënjë të thella në antikitet, siç janë edhe sulme kundër përkatësisë sonë qytetërimit evropian. Qarqet e njohura antishqiptare, që kanë bërë çmos që Shqiptarët të mbesin në margjinat e historisë, pa shtet dhe të shkapërderdhur nëpër historitë e huaja, pra ato që kanë hartuar elaborate për shfarosje dhe etnocide, e dinë fare mirë se ç’fuqi përthithen shqiptarët nga figura e Skënderbeut për t’u rikthyer në histori në rrethanat më të vështira kundruall asaj: me qenë ose mos me qenë.

Ndaj, nuk është e rastësishme që këto sulme, të fokusuara te gjoja “demitizmi” i tij, duke iu vu në dyshim origjina dhe përkatësia, duke iu veshur edhe petka fetare dhe të tjera, njëherësh të prekin edhe shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron ngrehina jonë etnike dhe historike: antikiteti me lidhjen pellazge-dardane-ilire, autoktonia dhe gjuha shqipe ndër më të vjetrat si dhe përkatësia botës perëndimore dhe qytetërimit evropian.

Këto sulme dhe të ngjashme, po ashtu, duhet parë të lidhura me përpjekjet që bota shqiptare (në Shqipëri, Kosovës dhe Maqedoni), për herë të parë e rreshtuar historikisht në anën e duhur (në anën e Perëndimit), në rrethanat e lëvizjeve globale, të humb kompasin e vet gjeopolitik dhe gjeostrategjik, në mënyrë që prapë të kthehet në një kufi të luftës së qytetërimeve.

Si duket ju, ndonëse jeni më aktiv në lëvrimin e historisë sonë, megjithatë nuk e leni anash as prozën që, si duket, është një binom i pandarë për ju?

Krahas “Kosovës” në tetë vëllime, e cila duhet të dalë nga shtypi në vjeshtë, nëpër duar kam edhe një roman (Prapë loja), që del nga shtypi në prill. Është një prozë, që merret me përsëritjen e së keqes ndër ne si dhe kthimin e asaj një njëfarë “kodi” të stërkeqjes së pashembullt, ku e mira shihet si e keqe, e keqja si e mirë, e bardha si e zezë, e zeza si e bardhë, vrasësi hero, heroi vrasës dhe të ngjashme, që janë të mundshme në një botë të humbur qëllimisht… /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Reagon babai i Olti Hysenit, pas deklaratës 'bombastike' të lojtarit të talentuar

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori