LAJMI I FUNDIT:

Jetoi përtej kohës: Umm Kulthum, ylli i përjetshëm i muzikës arabe

Jetoi përtej kohës: Umm Kulthum, ylli i përjetshëm i muzikës arabe

Me zërin e adhuruar nga legjendat Bob Dylan e Robert Plant, si dhe nga miliona të tjerë në botën arabe, Umm Kulthum është një prej fenomeneve më të rralla të botës së muzikës. Pjesë të shkrimit të gazetarit Tom Faber, Telegrafi sjell më poshtë.

E ndjeni kafenenë “Umm Kulthum”, para se ta shihni. Tingujt e violinave dhe zëri monumental dalin nga një portë e lagjes Taufiqia të Kajros. Jashtë saj, disa tymosin shisha në karrige plastike që sikur treten nga dy buste e mëdha të arta që përshkruajnë këngëtaren e njohur ndryshe si “ylli i Lindjes”, “nëna e arabëve” dhe “piramida e katërt e Egjiptit”.

Umm Kulthum incizoi rreth 300 këngë gjatë karrierës 60-vjeçare. Fjalët e saj të dashurisë, të humbjes dhe mallit dalin nga taksitë, nga radiot dhe nga kafenetë në të gjithë botën arabe, edhe sot, 45 vjet pas vdekjes së saj. Pavarësisht se këndoi poezi komplekse arabe, ndikoi te disa nga këngëtarët më të mëdhenj të Perëndimit. Bob Dylan tha: “Është e madhërishme. Është e vërtet”. Shakira dhe Beyoncé kanë realizuar rutinat e vallëzimit me muzikën e saj. Ndërsa, legjenda e operës, Maria Callas, e quajti “zë i pakrahasueshëm”.

Nuk ka asgjë të ngjashme me të në Perëndim; asnjë artist aq të respektuar dhe të dashur, sa është ajo në botën arabe. Përkundër kësaj, është relativisht e panjohur në Mbretërinë e Bashkuar. Ndaj, një shfaqje që do të jepet veç një natë në Palladiumin e Londrës, më 2 mars, synon ta ndryshojë këtë fakt. “Umm Kulthum dhe Era e Artë” do të dramatizojë jetën e këngëtares në anglisht, me muzikën e saj të kënduar në arabisht. “Mesazhi im”, thotë producentia e shfaqjes, Mona Khashoggi, “është ta promovojmë në Perëndim kulturën tonë të pasur të muzikës klasike”.

Muzika e përshkruan Egjiptin gjatë periudhës së begatisë kulturore dhe ndryshimit sizmik sociopolitik. Ajo i përgjigjet dilemës së shtruar nga etnomuzikologia Virginia Danielson, që shkroi biografinë e Kulthum-it: “A është e mundur që 50 vjetët e shoqërisë arabe, ku gratë ishin të papërfillshme e të shtypura, të heshtura e të mbuluara, të përfaqësohen nga jeta dhe puna e një gruaje”?

Kulthum lindi në një fshat në deltën e Nilit, rreth vitit 1904. Ishte e bija e një imami. Babai i saj i shtonte përfitimet duke interpretuar këngë fetare, bashkë me djalin dhe nipin, ndërsa vajza do t’i imitonte duke thënë më vonë se fillimisht mësoi të këndonte “si papagall”. Duke iu bashkuar ansamblit të familjes, zëri i saj i fuqishëm dëshmoi një risi, por gjithashtu provokim pasi një grua po interpretonte këngë fetare. Babai e veshi me rroba djali dhe mbulojë të zezë beduinësh, duke ia lënë vetëm sytë dhe gojën që të shihet. E liruar nga kufizimet e gjinisë, talenti i saj shkëlqeu dhe tërhoqi interesin e muzikantëve të shquar të cilët e ftuan në Kajro.

U desh një kohë që ajo ta gjejë veten në qytetin e madh, në fillim të viteve 1920. Teksa zëri i saj ishte i admiruar nga shtëpitë e elitës së Kajros, u tallte me veshjen dhe sjelljen fshatare. Ndaj, gradualisht mësoi të vishej me stil dhe punoi me artistët më të mirë të epokës, ndonëse kishte reputacionin e bashkëpunëtores që kërkon shumë. Kompanitë diskografike luftonin ta bënin për vete dhe ajo negocioi me mençuri për rritur fitimet dhe famën. Shumë shpejtë ajo do të fitojë dy herë më shumë se yjet më të mëdha të skenës artistike të Kajros.

Robert Plant i grupit Led Zeppelin tha se u “hutua” kur e dëgjoi zërin e saj, teksa ishte në Marakesh më 1970. “Kur e dëgjova për herë të parë mënyrën sesi ajo kalonte nëpër tonalitete, për t’u ndalur te një notë të bukur, as që mund ta imagjinoja këndimin; ishte diçka e madhe: dikush kishte krijuar një vrimë në murin e të kuptuarit tim për vokalin”.

Zëri i saj ishte kontralto, më i ulëti për një grua, por me fuqi të jashtëzakonshme. Interpretoi para audiencave të mëdha pa mikrofon dhe improvizoi në mënyrë virtuale. “Veproi si hoxhë që frymëzohet nga xhemati i tij”, tha një herë romancieri egjiptian dhe fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Naguib Mahfouz. Turmat bënin thirrje të dilte sërish në skenë, që do të thotë se një këngë e saj mund të zgjaste nga 45 në 90 minuta. Ajo e ndryshoi theksin dhe hulumtoi maqamatin, skalat e notave arabe. U tha se kurrë nuk e këndoi një vijë, dy herë në të njëjtën mënyrë.

Një koncert i Kulthum-it, në përgjithësi do të zgjaste rreth pesë orë dhe përbëhej nga tri këngë të zgjatura. Qëllimi i saj ishte të nxiste tarabin tek dëgjuesit, një gjendje e magjepsjes ku koha dhe vetja treten në muzikë.

Ajo prezantonte dy imazhe të njohura: gruan e rafinuar që mund të edukonte masat dhe vajzën fshatare që artikulonte dhimbje të klasës punëtore.

Incizoi disqe dhe luajti në gjashtë filma muzikorë. E, nga viti 1934, për gati 40 vjet transmetoi një koncert live, të enjten e parë të çdo muaji. Ishte ky një fenomen shoqëror: tollovia në rrugët dhe vendet e punës, nga Tunizia në Irak, boshatiseshin papritmas teksa miliona njerëz nxitonin në shtëpi për ta dëgjuar. Ajo e mishëroi unitetin pan-arab.

Një histori thotë shkon se muzika e Kulthum-it u hoq nga transmetimet në radio, pas revolucionit të Egjiptit më 1952, sepse ajo kishte kënduar për udhëheqësit e regjimit të vjetër. Gamal Abdel Nasser, hero kombëtar e më vonë presidenti i dytë egjiptian, pasi dëgjoi se muzika e yllit ishte e ndaluar, tha: “A janë të çmendur ata? A doni që tërë Egjipti të kthehet kundër nesh”? Nga ana e saj, ajo këndoi në mbështetje të Nasserit dhe dhuroi miliona dollarë për Ushtrinë. Prandaj, disa e konsiderojnë si mjet të tij. Por, Danielson beson se marrëdhënia ishte me dobi të dyanshme, meqë ranë dakord për shumë çështje. “Ata kishin tendencë të thoshin të njëjtat gjëra për veten e tyre, për Egjiptin dhe botën arabe”, thotë ajo. “Ka raste që nuk e dini se kush po flet, Nasseri ose Umm Kulthum”.

Në vitin 1967, Kulthum tha koncertin e saj të vetëm në Evropë, në “L’Olympia” të Parisit. U pagua dy herë më shumë nga ajo që kishte marrë Callas për të njëjtin vend, me çmimet e biletave katër herë më shumë ato për Sammy Davis Jr-in. Pas shfaqjes, ajo tha: “Askush nuk mund të përshkruaj ndjenjën e krenarisë sime kur shkova në Paris; qëndrova në mes të Evropës dhe e ngrita zërin tim në emër të Egjiptit”.

Performoi deri më 1970, por vdiq në 1975 nga sëmundja e veshkave. Varrimi i saj u ndoq nga katër milionë egjiptianë. Vajtuesit e morën arkivolin nga zyrtarët dhe e bartnin me orë të tëra nëpër rrugë.

Kulthum vazhdon të shfaqet edhe sot në mediat egjiptiane. Ata që janë të irrituar nga ligësia e tashme e vendit, tërhiqen tek Epoka e Artë që ajo përfaqësonte. Këngëtarët vazhdojnë të performojnë repertorin e saj, përfshirë Sanaa Nabil-in, mbesën e saj 17-vjeçare e cila do të shfaqet në Londër pas depërtimit në spektaklin “Arab Got Talent”. Ajo beson se muzika e Kulthum-it ka ende rëndësi. “Muzika e saj nuk është veç për të kaluarën”, thotë ajo. “Këngët janë të vjetra, por muzika gjithmonë ndjehet e re. Ekziston përtej kohës”.

Disa ankohen se prania e madhe e Kulthum-it në media ka ndrydhur talentet tjerë; të tjerët nuk ndjehen mirë me retorikën e saj nacionaliste. Ndërkaq, këngët e saj që zgjasin edhe me orë, po sfidojnë pop këngët tre-minutëshe. Khansa, artiste libaneze që ka bërë një version elektronik të këngës së saj “Qesat El Ams”, thotë: “Shumë njerëz e kanë të vështirë ta kuptojnë arabishten klasike, kështu që nuk e dëgjojnë, veçanërisht repertorin e vjetër e të ndërlikuar”

Ka pasur gjithashtu përpjekje për të vënë dilema të ndërlikuara në lidhje me biografinë e saj. Kulthum përmbysi normat gjinore të Egjiptit të mesit të shekullit XX, me marrëveshjet e saj të biznesit, me angazhimin aktiv në jetën publike dhe me refuzimin për të hequr dorë nga karriera në këmbim të jetës familjare. Ishte dy herë e martuar, por asnjë nga martesat nuk ishte konvencionale: e para u shkatërrua brenda pak ditëve; e dyta, ajo në moshën 50-vjeçare, u lidh me një burrë më të ri që kishte fëmijë nga një martesa e mëparshme. Ndaj, shkrimtari Musa Al Shadeedi ka shkruar se “gjatë jetës së saj u fol nëse ishte lezbike, por forca e madhe e shfaqjeve muzikore përmbyste thashethemet e tilla”. Kjo deklaratë shkaktoi skandal në Jordani për çka qeveria mbylli ueb-faqen my.kali. Në fakt, mund të ketë edhe të vërteta te këto pohime. Danielson thotë se Kulthum ishte përherë e rrethuar nga gra të veçanta dhe se tregonte pak interes për burrat.

Sidoqoftë, skandali tregoi sesa shumë njerëz e mbrojnë Kulthum-in, gati gjysmë shekulli pas vdekjes së saj. Kjo është meritë jo vetëm për kordat e zërit të saj, por edhe për krijimin e kujdesshëm të personalitetit të saj publik. Ajo ishte e kujdesshme ndaj shtypit dhe donte të ishte e sigurte që rrëfimi i saj të tregohet nga gazetarët dhe fotografët e zgjedhur. E formësoi paraqitjen publike, duke balancuar figurën e matriarkatit me besimin islam, si një vajzë fshatare, mbrojtëse e gjuhës arabe dhe si simbol i egjiptianizmit. Kulthum mund të nënkuptonte gjëra të ndryshme, për njerëz të ndryshëm. Prandaj, Danielson shkruan: “U përpoq të ndërtonte një zë që miliona njerëz do të cilësonin së të tyrin”. “Vetja e saj publike ishte qartë një konstruksion”, thotë Danielson në librin e saj, “por nuk ishte as artificial e as fals. Umm Kulthum thjesht mësoi të prezantohej në mënyrën sesi donte të mendohej e të mbahej mend”. /Telegrafi/