LAJMI I FUNDIT:

Jeta tragjike e Viktor Hygosë. Vdekje të hershme, dashuri, dhimbje, çmenduri…

Jeta tragjike e Viktor Hygosë. Vdekje të hershme, dashuri, dhimbje, çmenduri…

Viktor Hygo (Victor Marie Hugo) u lind më 26 shkurt të 1802, pothuaj 13 vjet pas shpërthimit të Revolucioni francez. Ishte gjeniu i kohës së tij dhe i të gjitha kohërave. Nderimet e ceremonisë së vdekjes (22 maj 1885), u bënë nën Harkun e Triumfit dhe u varros në Panteonin e Parisit i shoqëruar nga një kortezh prej dy milionë shpirtrash.

Është babai i letërsisë franceze, nuk mjafton numërimi i veprave të tij në shumë fusha si poet, dramaturg, romancier, frymëzues romantik, dizenjator, pjesëmarrës në konfliktin franko-prusian, deputet, senator, mbajtës i Legjionit të Nderit dhe emri i një rruge në Paris. Edhe fjalët e tij të fundit: “Ceci est le combat du jour et de la nuit… Je vois de la lumiere noire” (është lufta e ditës dhe e natës… shoh dritën e zezë) përsëriten ende sot në shkolla kur studiojnë jetën e turbullt dhe veprën e tij: 13 vepra për teatër, nëntë romane, 28 volume me poezi, 15 ese edhe deri në vizatime e fotografi, pasione të vona po jo më pak të forta.


Iu kundërvu Napoleonit, kundërshtoi dënimin me vdekje dhe ishte në favor të të drejtave të grave. Perandoria e Dytë franceze e dënoi me ekzil për dy dekada. Mbrojti rinovimin e sistemit të edukimit dhe të ligjeve aristokrate. Hyri në zemër të popullit me dy nga monumentet e tij: “Katedralja e Parisit” dhe me “Të mjerët”.

Në zgjedhjet e 8 shkurtit 1871, vijnë në pushtet monarkët, por populli mohon këtë lloj ndryshimi dhe shpërthen një revoltë e përgjakshme e mjaft e famshme, “Komuna e Parisit”. Përpara këtij represioni kundër komunarëve, Viktor Hygo shkruante: “Disa banditë vranë 64 pengje… dhe ne iu përgjigjëm duke vrarë 6000 të burgosur!”

Por, zogu i fatkeqësisë vinte vërdallë… Më 12 tetor 1822 martohet me Adele Foucher, një mike e fëmijërisë dhe disa vite më e madhe se ai. Një vit më parë i kishte vdekur e ëma, Sophie Trébuchet, vdekje që e kishte tronditur shumë. Nga martesa lindin pesë5 fëmijë, Léopold, Leopoldine, Charles, François-Victor dhe Adele. Djali i parë i mbijeton vetëm tre muaj. Leopoldine i vdes pa mbushur të 20-at. Charles vdes në moshën 45-vjeçare dhe Francois-Victor në të njëjtën moshë me Charlesin. Vdekje aspak të mëshirshme këto. Leopoldine bie nga varka në Senë, nuk di të notojë, i shoqi hidhet në ujë për ta shpëtuar dhe të dy mbyten. Charles vdiq nga tuberkulozi, François-Victor nga kanceri.

Përsa i përket Adelës, e mbijetuara e vetme i kalon ditët e saj në një spital psikiatrik për shkak të një dashurie jokorresponuese. Përsëri një goditje tjetër. Eugene, vëllai i Viktor Hygoit ishte edhe ai i dashuruar pas Adele Foucherit dhe kur këta u martuan u çmend dhe përfundoi në një çmendinë.

Fatkeqësitë ende nuk kishin mbaruar. I ndodhur në ekzil nga Napoleoni i III-të njohu Juliette Drouetin e martuar me një skulptor dhe më pas një dashnore e një milioneri që e kishte çuar më parë në Gjermani dhe më vonë në Bruksel. Nata e parë e dashurisë ndodhi në shkurt të 1833, datë që Viktor Hygo e përdori në “Të mjerët” për dasmën e Mariusit dhe Kozetës.

Don Zhuan i padominueshëm nuk reshti së flirtuari dhe Adele e dënoi me një romancë të saj me kritikun letrar Charles Augustin Sainte-Beuve, admirues i Hygosë. Adele Foucher vdiq në moshën 46-vjeçare në krahët e Viktor Hygosë, i cili vazhdonte të ishte dashnor i Juliette Drouet dhe që mbeti për gjithë jetën deri në vdekjen e tij më 22 maj të 1885. Juliette Drouet kishte vdekur dy vite më parë nga kanceri. Hygoi nuk i shkoi në funeral, por shkroi në anën e prapme të një fotografie këto fjalë: “50 vite dashuri. Ka qenë ndër më të bukurat martesa”.

Përtej ngjarjeve politike, shkrimeve, tragjedive të fëmijëve të tij, çmendurisë së vajzës së tij të vetme të mbijetuar dhe të vëllait të tij, përtej dashurive të tij, ato nuk kanë ndodhur rastësisht. Romantikët, besimtarët e devotshëm të fateve tragjike, hijet, qiparisat që rrethojnë varrezat, sigurisht edhe varret, oguret e tmerrshme, trishtimi, melankolia nuk besuan kurrë në dritën, në lumturinë si dhe në gëzimin. Dhe Viktor Hygoi e përmbushi përjetësisht këtë dekalog, këtë rregull të lojës, këtë dënim, këtë labirint pa rrugëdalje. /Theworldnews.net/bota.al/