Ishte një nga këngëtaret më të mëdha të shekullit XX, me sukses të jashtëzakonshëm dhe një grup po aq të madh ndjekësish. Por, ishte gjithashtu një grua e vetmuar, e trishtuar, e përpirë nga ndjenja dhe komplekse konfliktuale, që zhdukeshin sa herë që ecte nëpër një skenë. Sepse atëherë bëhej luaneshë e fortë dhe e vendosur, ajo që të gjithë e njihnin. Megjithatë, në thellësitë e saj gjithmonë mbeti një grua e pasigurt.

19 Janar 1943: Një yll lindi në Port Artur të Teksasit. Në qytetin e vogël të naftës, Dorothy East, punonjëse, dhe Seth Joplin, inxhinier i ndërmarrjes së naftës Texaco, sollën Janisen e vogël në botë, duke i kushtuar gjithë vëmendjen. Fëmijëria ishte e qetë, midis shenjave të para të një pasioni që shpejt do të shndërrohej në një thirrje të vërtetë.

Në shkollë ka qenë e prirë për çdo formë arti, veçanërisht për të kënduar. Por, shokët e saj të shkollës, prej moshës së re, tallen me të. Ata e vënë në lojë për pamjen disi të fortë dhe për zgjedhjen e veshjes së rrobave më pak femërore duke mos i fsheh idealet e saj të lirisë dhe barazisë.

Ngacmimet shpejt kthehen në komplekse dhe ankthe, veçanërisht kur trupi i saj ndryshon në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Ajo shton peshë dhe nuk e pëlqen veten. Por, e ka muzikën dhe tek ajo strehohet. Ndërkohë, prindërit e saj merren me vëllezërit e motrat e tjera, që marrin vëmendjen dhe kujdesin e rezervuar dikur për të.

Koha kalon dhe Janis regjistrohet në universitet. Problemet vazhdojnë: mungesa e atraktivitetit bëhet objekt talljeje mes djemve në kampus që e votojnë si “njeriun më të shëmtuar”. Prindërit mungojnë gjithnjë e më shumë dhe ajo, edhe një herë, gjen strehë në muzikë, midis izolimit nga pjesa tjetër e botës dhe plagëve që bëhen gjithnjë e më të thella.

Mungesa e tolerancës e qytetit të Teksasit, ku ajo lindi dhe u rrit, shkon dorë për dore me dëshirën e saj për liri dhe nevojën pothuajse obsesive për shpengim dhe pranim. Më 1963 Janis vendosi të linte universitetin dhe të transferohej në San Francisko. Qyteti e mirëpret: më në fund është e lirë të shprehet, pa u përmbajtur. Por, rebelimi përfshin gjithashtu abuzimin me drogën dhe alkoolin. As hitet e hershme muzikore nuk e lejojnë të gjejë paqen që po kërkonte. Miqtë e rinj janë të shqetësuar për të dhe, me një biletë vetëm vajtje për në Teksas, e bindin të shkojë në shtëpi.

Më 1966 Janis vendosi të kthehej në San Francisco. U bashkua me grupin Big Brother and The Holding Company, së pari duke luajtur dajren, pastaj si soliste. Publiku e brohoret; Janis e pëlqen këtë. Konfirmimi vjen me pjesëmarrjen në Festivalin Monterey kur para publikut zëri i saj i mrekullueshëm gërvisht zemrat e dëgjuesve. Një performancë e paharrueshme që e shtyu produksionin Columbia të firmoste me grupin e saj. Janis është ende e papjekur, por unike, krejt ndryshe nga të gjitha këngëtaret e asaj kohe. Ajo bëhet lidere duke qenë më e suksesshme se anëtarët e tjerë, të cilët janë që të gjithë burra.

Albumi “Cheap Thrills” doli në gusht 1968. Për disa javë pushton pozicionin e parë në top-lista. Grupi fitoi diskun e artë, por po atë vit ata u ndanë. Një vendim i përbashkët ky – do të tregonin ata vetë – i lindur nga vetëdija se fati i Janises ishte diku tjetër. Megjithatë, ajo zgjedhje, e cila nuk ishte asgjë tjetër veçse parathënie e karrierës së saj solo, e zhyt Janisen në gabimet e rinisë: fillon të abuzojë përsëri me alkoolin dhe me drogën. Ajo ishte ende vajza e pasigurt dhe e vuajtur e së kaluarës.

Me grupin e porsalindur Kozmic Blues, zëri i saj arrin pjesën tjetër të botës. Albumi solo që nuk u prit mirë nga kritika, “I Got Dem Ol’ Kozmic Blues Again Mama!!”, del më 1969. Po atë vit fillon një turne evropian, por pritja nga publiku nuk është ajo për të cilën këngëtarja shpreson. Pjesëmarrja në Festivalin Woodstock gjithashtu dëshmon të jetë një dështim: teksa ishte duke pritur për dalë në skenë, rreth 10 orë pas fillimit të koncertit, Janis merr një dozë të rëndë ilaçesh që e rrezikojnë karrierën e saj. Performanca është e paqëndrueshme dhe publiku nuk e vlerëson.

Pastaj zgjedh të ndryshojë jetën: shkon në Brazil dhe braktis gjërat e tepruara. Atje takon David Niehausin dhe një dashuri e madhe do të lindë mes të dyve. Ai do ta mbështesë dhe do ta ndihmojë gjatë gjithë kohës për ta larguar nga teprimet e këqija, por pa pasur sukses. Janis kthehet në Amerikë dhe formon një grupin e ri – të fundit – Full Tilt Boogie Band. Është pozitive dhe optimiste dhe jeton me entuziazëm, duke braktisur drogën për një farë kohe. Në qershor 1970 ishte protagoniste e një turneu të organizuar në bordin e një treni në lëvizje – Festival Express 1970. Performancat e saj janë perfektë, dhe ajo e shkujdesur deri në pikën që gjen kohën për të bërë dashuri: 65 marrëdhënie seksuale në pesë ditë! Suksesi i jashtëzakonshëm i asaj periudhe e solli Paul Allen Rothchildin, producentin e grupit The Doors, më afër saj. Ai është i bindur se Janis ka ndryshuar, ndaj vendos që t’i japë një shans për albumin “Pearl”, të fundit të jetës së saj. Më 4 tetor 1970 u gjet e pajetë në dhomën 105 të hotelit Hollywood Landmark në Los Anxhelos. Raporti mjekësor nuk lë dyshim për shkakun e vdekjes: mbidozë heroine.

Kështu merr fund, moshën 27 vjeçare, një nga zërat më të bukur dhe më intensivë të skenës muzikore të të gjitha kohërave. Janis bashkohet me klubin e 27-ave, duke trashëguar mallkimin e artistëve të tjerë të mëdhenj që vdiqën në atë moshë. Hiri i saj u shpërnda në Oqeanin Paqësor për të përmbushur dëshirën e saj për të qenë e lirë. /bota.al/

Të famshmit që ndërruan jetë në moshën 27 vjeçare Të famshmit që ndërruan jetë në moshën 27 vjeçare