Jennifer Lopez mahnit në Paris me një paraqitje elegante në Javën e Modës


Jennifer Lopez vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes gjatë Javës së Modës Haute Couture në Paris.
Këngëtarja dhe aktorja 56-vjeçare u fotografua teksa largohej nga hoteli së bashku me motrën e saj, Lynda Lopez, për të marrë pjesë në një tjetër sfilatë të modës.
Ylli amerikan zgjodhi një kombinim elegant me një bluzë të zezë me dekolte të theksuar, të kombinuar me një fund të gjatë prej kadifeje, taka të larta dhe aksesorë luksozë, shkruan DailyMail.

Pamjen e plotësoi me një çantë të zezë dhe një byzylyk diamanti me vlerë rreth 50 mijë dollarë (afërsisht 43 mijë euro), ndërsa flokët dhe grimi u realizuan nga stilistët e saj të përhershëm, Justine Marjan dhe Rokael Lizama.
Përpara udhëtimit në Francë, Lopez ishte në New York, ku mori pjesë në dasmën e Taylor Swift dhe Travis Kelce.

Artistja po përgatitet gjithashtu të festojë ditëlindjen e saj të 57-të më 24 korrik, muaj që ajo e quan shpesh “muaji im i ditëlindjes”.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, Jennifer foli edhe për jetën e saj personale pas divorcit nga Ben Affleck, duke thënë me humor: “Po! Duhet ta kisha bërë më herët. E kam bërë të gjithën gabim, më besoni”. Ajo shtoi se beson se një ditë do të takojë personin e duhur.
Në aspektin profesional, Lopez do të jetë protagoniste dhe producente e trillerit psikologjik “The Last Mrs. Parrish”, me regji të Robert Zemeckis. Filmi pritet të publikohet në Netflix në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027. /Telegrafi/

















































