Miliarderi Jeff Bezos ka komentuar marrëveshjen e Elon Muskut për të blerë Twitterin, duke thënë se Kina mund të fitojë ndikim mbi rrjetin social sapo të përfundojë blerja.

Themeluesi i Amazonit ka lënë të kuptohet për lidhjet e biznesit të Muskut me Kinën.

Shefi ekzekutiv i Teslas krijoi një fabrikë në Shangai në vitin 2018 dhe kompania mbështetet shumë në firmat kineze për të furnizuar materialet që futen në bateritë e saj.

“A fitoi Qeveria kineze pak ndikim mbi sheshin e qytetit? Përgjigja ime për këtë pyetje ndoshta nuk ekziston. Rezultati më i mundshëm në këtë drejtim është kompleksiteti në Kinë për Teslan, sesa censura në Twitter. Le të shohim. Musk është jashtëzakonisht i mirë në lundrimi në këtë lloj kompleksiteti”, theksoi Bezos, përcjell Telegrafi.

Bordi i Twitterit është pajtuar për ta shituar kompaninë te Musku. Rrjeti social do të merret nga ai me 54.20 dollarë për aksion në një marrëveshje prej 44 miliardë dollarë.

Twitter është i ndaluar në Kinë. I ashtuquajturi “Firewall i Madh” i Pekinit ndalon qasjen në një numër faqesh të medieve sociale perëndimore, duke përfshirë Facebookun, Instagramin dhe YouTube.

Pavarësisht dyshimeve, komentet e Bezos janë vazhdimësi e një grindje të gjatë mes dy miliarderëve. Dyshja janë grindur shpesh për ambiciet e tyre hapësinore. Musk është drejtuesi i SpaceX, ndërsa Bezos drejton Blue Origin. /Telegrafi/