Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, një nga çiftet më të njohura në skenën botërore, kanë ndarë 10 milionë euro për të luajtur një rol kyç në Met Gala-n e këtij viti.

Sipas burimeve pranë organizimit, çifti është ndër sponsorët kryesorë të këtij eventi prestigjioz që mbahet çdo vit në Metropolitan Museum of Art në New York.


Mbështetja e tyre financiare dhe angazhimi, thuhet se kanë ndikuar në organizimin e mbrëmjes që mbledh emrat më të mëdhenj nga bota e modës, filmit dhe biznesit.

Lauren Sanchez dhe Jeff Bezos

Vëmendje të veçantë kanë tërhequr pretendimet se kryeredaktorja legjendare e revistës Vogue, Anna Wintour – e cila prej vitesh qëndron pas Met Gala-s – është shprehur e kënaqur me kontributin e tyre.

Burimet thonë se komenti i saj ka qenë i shkurtër, por i qartë: “Janë në rregull”, gjë që në rrethet e modës interpretohet si një miratim i rëndësishëm.

Met Gala njihet si një nga ngjarjet më ekskluzive në botë, ku biletat dhe tavolinat arrijnë shifra marramendëse, ndërsa të gjitha të ardhurat shkojnë për Institutin e Kostumit pranë muzeut.

Pikërisht për këtë arsye, donatorët e mëdhenj dhe mikpritësit kanë rol të rëndësishëm në suksesin e eventit.

Për Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, kjo nuk është hera e parë që tërheqin vëmendje me stilin e tyre luksoz të jetesës dhe praninë në evente elitare.

Megjithatë, ky veprim e forcon edhe më shumë statusin e tyre si një nga çiftet më me ndikim në elitën globale.

Met Gala e këtij viti mbahet të hënën, më 4 maj 2026, dhe si çdo vit organizohet të hënën e parë të muajit maj në Metropolitan Museum of Art në New York. /Telegrafi/