JD Vance ende mund ta shpëtojë lëkurën e tij politike, por kjo do të thotë të kthehet kundër Trumpit

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Për një president të mundshëm, JD Vance ka një zakon të pafat për t’u futur në përplasjet që nuk mund t’i fitojë. Tri beteja të humbura gjatë javës së fundit - me negociatorët iranianë, votuesit hungarezë dhe Papa Leon - sollën mbi të kritika, poshtërim dhe tallje. Asnjëra nuk ishte zgjedhje e Vanceit. Të gjitha u zhvilluan në mënyrë të tërthortë në emër të Donald Trumpit.
Zëvendëspresidenti po paguan çmim të lartë për besnikërinë servile ndaj shefit të tij. Vlerësimet e tij në sondazhe po bien ndjeshëm. Shpresat e tij për të trashëguar MAGA-n po lëkunden. Ai vuan nga lidhja me Trumpin - megjithëse deklaratat e tij shpesh nxitëse dhe gjykimet e gabuara e përkeqësojnë situatën. Megjithatë, mes dyshimeve në rritje për shëndetin mendor dhe aftësinë e Trumpit për të qeverisur, Vance mbetet pasardhësi i radhës në Shtëpinë e Bardhë.
Duke qenë se pritet të kandidojë për presidencën në vitin 2028, lind pyetja: a do të vazhdojë Vance të sillet me përulësi si kurban i Trumpit edhe për dy vjet e gjysmë të tjera të vështira dhe të shpresojë të mbijetojë, siç mbijetoi Klaudi nga Kaligula? Apo, përballë një katastrofe që mund t’i japë fund karrierës, ndërsa “mbreti i çmendur” tërheq të gjithë teposhtë, do të kthehet kundër tij, siç u kthye Bruti kundër Cezarit?
Besnikëria e Vanceit nuk shpërblehet. Kujtoni fatin e zëvendëspresidentit të parë të Trumpit, Mike Pence, i cili refuzoi të bllokonte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Trumpi thuhet se mbështeti protestuesit në Kapitol Hill që kërkonin varjen e Penceit për tradhti. Nëse i leverdis, Trumpi hedh pa hezitim nën autobus edhe ndjekësit më besnikë, pavarësisht sa shumë përulen. Pyeteni Pam Bondin. Megjithatë, edhe bindjet dhe besnikëritë e Vanceit janë të lëvizshme. Para se t’i bashkohej MAGA-s, ai ishte kritik i ashpër i Trumpit, duke paralajmëruar se mund të bëhej “Hitleri i Amerikës”. Më pas doli kundërshtar i fortë i emigracionit, duke mbrojtur gënjeshtrën famëkeqe të fushatës së Trumpit më 2024 se emigrantët haitianë kishin vjedhur dhe ngrënë manarët e njerëzve.
Vance dikur kundërshtonte me vrull aventurat ushtarake jashtë vendit. Në detyrë, ai ka mbështetur sulmet ndaj Venezuelës, Irakut, Sirisë, Jemenit, Somalisë, Nigerisë dhe tani Iranit. Ai u konvertua në katolik në vitin 2019 dhe që atëherë e ka përdorur këtë për të zgjeruar tërheqjen ndaj konservatorëve fetarë. Megjithatë, shpesh sfidon me arrogancë autoritetin e kishës dhe mësimet papnore.
Shkurtimisht, Vance është oportunist i rëndomtë, një malësor i vetëshpallur që shet iluzione politike. Por, në një aspekt kyç, pozita e tij është më e fortë se ajo e anëtarëve të tjerë të kabinetit: Trumpi nuk mund të shkarkojë zëvendëspresidentin e zgjedhur - megjithëse, sipas amendamentit të 25-të të Kushtetutës, Vance mund të ndihmojë në shkarkimin e Trumpit. Një i grup demokratëve në Kongres dëshiron që ai t’i bashkohet një komisioni të posaçëm që do ta bënte pikërisht këtë nëse Trumpi do të shpallej i papërshtatshëm për detyrën.
Vance do të presë momentin e vet. Por, dështimi i Trumpit me Iranin dhe sjellja e tij gjithnjë e më e paqëndrueshme po gërryejnë mbështetjen në bazë - dhe kjo dëmton edhe zëvendësin e tij. Po zvogëlohet epërsia e Vanceit ndaj sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në garën e brendshme për nominimin republikan. Në publikun e gjerë, sipas një sondazhi, ai është zëvendëspresidenti më i papëlqyer në historinë moderne. Fitoret e mëdha të demokratëve në zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit mund ta shtyjnë atë (dhe shumë republikanë të tjerë) të kthehen kundër Trumpit.
Vance është “djegur” trefish gjatë javës së fundit. Viktor Orbáni, në prag të humbjes në zgjedhjet e Hungarisë, kërkoi që presidenti të bënte fushatë për të. Por, Trumpi i urren humbësit, ndaj dërgoi në vend të tij Vancein. Ky mision i pafalenderueshëm nuk ndikoi në rezultat, i cili i dha një goditje të fortë së djathtës etno-nacionaliste të krishterë në Evropë, të mbështetur nga Trumpi - dhe nga vetë Vance në fjalimin e tij famëkeq në konferencën e sigurisë në Munih në shkurt të vitit 2025. Tani Vance identifikohet ngushtë me këtë humbje.
Po kështu, kur Trumpi - duke u përpjekur dëshpërimisht të dalë nga kriza me Iranin - kishte nevojë për dikë që të mbante barrën, zgjodhi Vancein e pafat. Negociatat e fundjavës në Islamabad nuk mund të kishin sukses brenda një dite, sepse Trumpi s’e kupton qëndrueshmërinë iraniane dhe sepse forca brutale nuk ka arritur asnjë nga synimet e tij. Por, bisedimet dështuan edhe sepse Vance, pa përvojë në negociata të nivelit të lartë dhe pa njohuri personale për Iranin, nuk kishte autoritet për të arritur marrëveshje. Ai detyrohej të konsultohej vazhdimisht me Trumpin në telefon. Vance fillimisht e kundërshtoi dobët vendimin për luftë, pastaj u pajtua. Tani ai është fytyra publike e dështimit të Trumpit për të imponuar paqe të menjëhershme.
Sulmet e vazhdueshme dhe fyese të Trumpit ndaj Papa Leos janë, ndoshta, edhe më të dëmshme për pozitën dhe reputacionin e Vanceit. Si katoliku më i lartë në administratë, ai pritej të mbronte Atin e Shenjtë. Fyerjet fëmijërore dhe blasfemitë e Trumpit kanë shkaktuar reagim të madh mes të krishterëve të indinjuar në ShBA, Itali dhe në mbarë botën.
Në vend të kësaj, duke treguar mungesë të habitshme të zgjuarsisë politike, Vance vuri në dyshim sinqeritetin e Papës. Ai i tha atij të ndalonte shprehjen e qëndrimeve pro paqes dhe “t’i përmbahej çështjeve morale”. Kjo ishte pamaturi. Të sugjerosh se lufta dhe paqja nuk janë zgjedhje morale është po aq absurde sa të thuash se sporti dhe politika janë të ndara. (Si provë, thjesht shikoni Trumpin teksa shfrytëzon Kupën e Botës në futboll të kësaj vere, të bashkorganizuar nga ShBA-ja).
I kurthuar në nënshtrim vetëlëndues ndaj shefit të tij, Vance nuk e ndali tjetërsimin e votuesve fetarë. Ai pretendoi se imazhi shqetësues i publikuar nga Trumpi, ku presidenti paraqitej si figurë e Jezu Krishtit me dritë hyjnore që dilte nga duart e tij, ishte thjesht “shaka”. Ky është justifikimi standard i mujsharëve kur përballen me kritika. Dhe, Papa Leo, duke dënuar shkatërrimet globale të shkaktuara nga një “grusht tiranësh”, e kritikoi hapur Vancein dhe shefin e tij. Edhe një herë, Vance është në një betejë të humbur.
Në fund të një jave të trazuar, është e qartë se Trumpi po afrohet gjithnjë e më shumë drejt një gremine personale dhe politike, ndërsa pakënaqësia publike po rritet. Të thuash se ai është “çmendur” është gjykim subjektiv, por gjithnjë e më shumë zëra po e artikulojnë këtë. Edhe nëse presidenti është në gjendje të mirë, siç pretendon, shumica e amerikanëve nuk e perceptojnë kështu. Sondazhet tregojnë se ata mendojnë se ai është shumë i vjetër, i paqëndrueshëm dhe me gjykim të dobët.
Ndërsa Trumpi shpërthen, luhatet dhe fundoset, Vance mund të ripozicionohet si besimtar i vërtetë i MAGA-s, si trashëgimtar natyror - ose të paktën si një lider, shëndeti mendor i të cilit nuk vihet në dyshim. Ai ka gjithnjë e më shumë arsye për t’u distancuar dhe për ta sfiduar presidentin e plakur dhe të zemëruar, nëse arrin të gjejë guximin. Megjithatë, ditët e fundit kanë treguar se edhe ai vetë nuk është i përshtatshëm për postin më të lartë. Në publik ai duket i dobët, i painformuar, i zemëruar, i pasigurt dhe lehtësisht i manipulueshëm.
Si katolik i deklaruar, thuhet se Vance beson në faljen e mëkateve. Nëse deri në nëntor 2028 ai arrin të mësojë si të bëhet burrështetas, të praktikojë përulësi dhe maturi, dhe të dëgjojë atë që Abraham Lincolni e quante “engjëjt më të mirë të natyrës sonë”, ai mund të gjejë shpëtimin. Në moshën 41-vjeçare, ai ende ka kohë të rizbulojë veten. Por, duhet një mrekulli. /Telegrafi/


















































