Futbollisti anglez Jack Grealish është rikthyer sërish në faqet e para të mediave britanike, pas raportimeve se është parë duke fjetur në një bar luksoz në çati në Mançester, pas një pasditeje të kaluar në shoqëri dhe konsum alkooli me miq.

Sipas “The Sun”, mesfushori ofensiv i kombëtares së Anglisë, i cili aktualisht është i huazuar te Evertoni nga Manchester City, është parë të shtunën rreth orës 16:30 në lokalin e njohur “Stories” në Mançester.


Vetëm rreth një orë më vonë, ai thuhet se ka rënë në gjumë në tavolinë.

Dëshmitarë të pranishëm kanë deklaruar se Grealish ishte i rrethuar nga gota dhe shishe koktejesh në momentin kur e zuri gjumi.

“Shokët e tij po përpiqeshin ta zgjonin”, ka thënë një prej të pranishmëve.

“Sapo u duk qartë se alkooli e kishte mposhtur shumë shpejt”, ka shtuar ai.

Ky incident vjen në një periudhë të vështirë për 30-vjeçarin, i cili po rikuperohet nga një operacion në këmbë.

Për shkak të procesit të rehabilitimit, ai pritet të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa raportohet se ka humbur edhe shanset për t’u përfshirë në listën e Anglisë për Kupën e Botës.

Në fillim të marsit, Grealish kishte ndarë në rrjetet sociale imazhe nga rehabilitimi i tij, duke përdorur pajisje ndihmëse për lëvizje dhe duke theksuar se po punonte për t’u rikthyer më i fortë.

Megjithatë, në fund të muajit, ai u pa në një udhëtim luksoz në Romë së bashku me shokun e kombëtares Jordan Pickford, për të festuar ditëlindjen e bashkëshortes së këtij të fundit.

Grealish prej vitesh është shoqëruar me imazhin e një lojtari që pëlqen jetën e natës, ndërsa media britanike shpesh ka raportuar për dalje të tij në festa dhe evente private.

Fotografitë e fundit nga Mançesteri kanë shtuar edhe më shumë debat në publik, ndërsa tifozët e Evertonit dhe të Anglisë vazhdojnë të presin rikthimin e tij të plotë në fushën e lojës. /Telegrafi/

telegrafi sport app