eksperti-banner

Ylli kolumbian i muzikës, J Balvin, performoi në ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror 2026, ndërsa paraqitja e tij u bë shpejt një nga temat më të komentuara në rrjetet sociale. Megjithatë, më shumë sesa performanca muzikore, vëmendjen e publikut e tërhoqi stili i tij i veçantë i veshjes.

Këngëtari u shfaq me një kombinim mjaft të pazakontë, i cili shkaktoi reagime të shumta online. Shumë përdorues komentuan se dukej sikur kishte dalë drejtpërdrejt nga një film fantastiko-shkencor, ndërsa të tjerë vlerësuan se paraqitja e tij “ia vodhi gjithë vëmendjen” vetë performancës.


J Balvin, emri i vërtetë i të cilit është José Álvaro Osorio Balvín, konsiderohet një nga artistët më të suksesshëm latinë të kohës sonë. I lindur në Medellín të Kolumbisë, ai fitoi famë botërore falë hiteve të njohura si “Mi Gente”, “Ay Vamos”, “Ginza” dhe “La Canción”.

Ai vlerësohet si një nga artistët që ka luajtur rol kyç në popullarizimin e reggaetonit dhe muzikës latine në mbarë botën. Prej vitesh renditet ndër artistët më të dëgjuar në platformat muzikore, ndërsa në disa raste ka qenë edhe në mesin e pesë artistëve më të dëgjuar globalisht në Spotify.

Përveç muzikës, J Balvin është i njohur edhe për stilin e tij ekstravagant dhe eksperimental në modë. Gjatë karrierës ai ka tërhequr shpesh vëmendjen me veshje të guximshme, ngjyra të ndezura dhe aksesorë të pazakontë, ndaj reagimet për paraqitjen e tij në ceremoninë hapëse të Botërorit me shumë gjasë nuk e kanë befasuar aspak. /Telegrafi/