Federata Italiane e Futbollit ka konfirmuar zyrtarisht se po zhvillon bisedime për emërimin e Pep Guardiolës si trajnerin e ardhshëm të kombëtares.

Që kur u bë e ditur se Guardiola do të largohet nga Manchester City në fund të sezonit 2025/26, kanë nisur spekulimet për destinacionin e tij të ardhshëm.


Si një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit modern, shumëkush mendonte se 55-vjeçari do të ndiqte shembullin e Jurgen Kloppit dhe do të merrte një pushim nga bankina.

Megjithatë, raportimet e fundit sugjerojnë se Guardiola mund të rikthehet shumë shpejt në stol, këtë herë si përzgjedhës i një kombëtareje, për herë të parë në karrierën e tij, me Italinë që shihet si favoritja për ta emëruar.

Pas dështimit për t'u kualifikuar në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi, Federata Italiane njoftoi se kishte ndërprerë me marrëveshje të dyanshme bashkëpunimin me Gennaro Gattuson.

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, ka konfirmuar se institucioni është i gatshëm të bëjë edhe përjashtime financiare për ta bindur Guardiolën.

"Janë bërë përjashtime financiare, përjashtime që mund të lidhen me emrin që po përmendet kaq shumë këto ditë: Pep Guardiola", deklaroi Malago për platformën italiane sportive Cronache di Spogliatoio.

"Përjashtime për arsye të qarta që nuk kam nevojë t'i shpjegoj këtu, por kjo nuk do të thotë se marrëveshja do të realizohet patjetër", shtoi ai.

Raportimet që lidhin Guardiolën me stolin e Italisë dolën në pah në fillim të kësaj jave.

Sipas mediave italiane, Paolo Maldini, i cili së fundmi është emëruar drejtor teknik i FIGC-së, së bashku me këshilltarin e tij Leonardo, kanë zhvilluar takime me Guardiolën në Barcelonë gjatë javëve të fundit.

Guardiola ka luajtur më parë për Brescian dhe Romën në Serie A, ndaj flet rrjedhshëm italisht, çka e bën atë një kandidat ideal për të marrë drejtimin e kombëtares italiane./Telegrafi/

telegrafi sport app