LAJMI I FUNDIT:

Islami: Pas dështimit në INTERPOL, së paku Pacolli të jepte dorëheqje morale (Video)

Islami: Pas dështimit në INTERPOL, së paku Pacolli të jepte dorëheqje morale (Video)

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se përgjegjësinë më të madhe pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL, duhet ta kenë Thaçi dhe Pacolli.

Islami ka thënë se dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL nuk e ka pritur askush, por sipas tij ekzistojnë faktorët e jashtëm dhe  të brendshëm që kanë ndikuar në proces.


“Faktorët e brendshëm kanë ndikuar edhe te faktorët e jashtëm për të penguar procesin. Mos uniteti i veprimeve mes Presidencës dhe Qeverisë shto edhe kundërshtimet e  opozitës kanë ndikuar edhe te miqtë tanë ndërkombëtar që të jenë të hutuar me politikën e institucioneve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Islami.

Islami ka thënë në “Dossier D” në RTV Dukagjini se pavarësisht dështimit për t’u anëtarësuar në INTERPOL, Policia e Kosovës është njëra ndër policitë më profesionale dhe më të mira në Ballkan.

“Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm në 99% të rasteve…Prapë duhet të bëhet kërkesa për anëtarësim në INTERPOL dhe pavarësisht dështimit ajo duhet të vazhdojë të luftojë krimin e organizuar dhe terrorizmin”, tha Islami.

Islami thotë së mbetet brengë që mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, do t’u lë hapësirë kriminelëve që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

“Kriminelët që fshihen në Serbi apo gjëkundi në botë, me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL nuk do të ndiheshin të sigurt dhe të lirë”, deklaroi njohësi i çështjeve të sigurisë.

Islami thotë se pas dështimit në Dubai, së paku dorëheqje morale duhej të jepte Behgjet Pacolli.

“Së paku ministri i Punëve të Jashtme duhej të jepte dorëheqje morale”, tha Islami, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se taksa për produktet serbe, pas bllokimit të anëtarësimin e INTERPOL duhet të rritet, por duhet pasur kusht të mos ketë kontrabandë mallrash nga veriu i Kosovës.

“Taksa të rritet, por në veriun e Kosovës të vendosen kontrolle të rrepta që asnjë mall kontrabandë të mos hyjë nga Serbia, përndryshe efektet do të jenë të kundërta”, deklaroi Islami.

Duke folur për temën e korrigjimit të kufijve, Islami tha se deklaratat e Thaçit për këtë çështje janë të gabuara.

“Serbia ende nuk e ka pranuar Kosovën, dhe është e paarsyeshme të mendohet për korrigjimin e kufijve. Mendoj se është një vendim ose propozim i gabuar i presidentit Thaçi”, deklaroi Islami./Telegrafi/