LAJMI I FUNDIT:

Ish-zëvendësministri i Turizmit në Shqipëri: Kosova më së shumti mallra eksporton në Shqipëri (Video)

Ish-zëvendësministri i Turizmit në Shqipëri: Kosova më së shumti mallra eksporton në Shqipëri (Video)

Ish-zëvendësministri i Turizmit në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Hajrullah Çeku, ka thënë se marrëveshjet periodike që po bëhen mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë janë shenjë e mirë për raportet mes vendeve.

Çeku, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ka grupe interesi që mund të pengojnë zbatimin e disa marrëveshjeve.


“Unë nuk besoj se ka ndonjë ministër në Shqipëri që mund të pengojë zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Nuk e di çfarë do të humbte Shqipëria nëse do të zbatonte këto marrëveshje, përkundrazi do të kishte dobi”, tha ai.

Ish-ministri i Turizmit në Shqipëri thotë se bilanci negativ tregtar që mund të ketë Kosova me Shqipërinë ka të bëj edhe me faktor tjerë të brendshëm e të jashtëm.

“Një pjesë e madhe e faktorëve pse Kosova nuk ka tregti të madhe të jashtme është problem i brendshëm i Kosovës, e jo bllokimi i Shqipërisë”, tha ai , përcjell Telegrafi.

Çeku ka thënë se nuk duhet demonizuar Shqipëria sa i përket raporteve me Kosovën pasi shifrat flasin ndryshe.

“Shqipëria është tregu kryesor eksportues i Kosovës. Kosova më së shumti mallra eksporton në Shqipëri”.

“… Nga viti 2016 në vitin 2017 nga Kosova drejt Shqipërisë ka rritje të eksporteve prej rreth 35%. Me kalimin e kohës po reduktohen edhe disa barriera të mbetura ku si pasojë po shtohen eksportet e Kosovës drejt Serbisë”, tha Çeku.

Ish-ministri i Turizmit në Shqipëri thotë se këtë vit (2017) nga Kosova në Shqipëri kanë hyrë 2 milion persona.

Çeku ka thënë se me iniciativën e zëvendësministrave nga Kosova në qeverinë e Republikës së Shqipërisë tashmë shumë shkolla në Shqipëri i dërgojnë nxënësit në ekskursion në Kosovë.

“Ne kur e kemi filluar këtë diskutim në Qeverinë e Shqipërisë, kemi kuptuar se pothuajse nuk ka shkollë në Shqipëri që nuk i dërgon nxënësit në ekskursion në Kosovë”, deklaroi Çeku./Telegrafi/