IPK rekomandon suspendimin e një zyrtari policor në Prishtinë

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Sipas njoftimit, hetimet fillestare për rastin janë nisur nga Policia e Kosovës, ndërsa pas dyshimeve për përfshirjen e një zyrtari policor, në rast janë përfshirë edhe hetuesit e IPK-së, në përputhje me kompetencat ligjore.
Hetimet ndaj zyrtarit policor po zhvillohen nën dyshimin për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”, ndërsa pas konsultimeve me prokurorin, rasti pritet të trajtohet në procedurë të rregullt.
IPK ka bërë të ditur se hetuesit, në bashkëpunim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti. /Telegrafi/




















































