LAJMI I FUNDIT:

Investohen në 12 objekte për kursimin e energjisë elektrike

Investohen në 12 objekte për kursimin e energjisë elektrike

Qeveria e Kosovës së bashku me Bankën Botërore janë duke investuar në 12 objekte, prej këtyre 9 janë spitalore ku janë shndërruar në objekte eficiente dhe me këto objekte do të ketë edhe kursime të faturave të energjisë.

Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë ceremonisë inauguruese e Projektit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtërishme, që përfshin rinovimin e 12 ndërtesave publike në vlerë prej 2.3 milionë euro, për nëntë klinika në QKUK dhe tri objekte në fushën e edukimit.


Ministri Lluka tha se në vit mesatarisht do të kursehen rreth 20 milionë euro në faturat e energjisë.

“Këto objekte do të ketë edhe kursime të faturave të energjisë, do të kursehen rreth 20 milionë euro në faturat e energjisë, pra kursime të buxhetit të vendit. Presim që deri në shtator të inaugurohen dhe 20 objekte të tjera, ndërsa janë në fazën e tenderimit edhe 23 objekte të tjera, të cilat me një intensitet të shtuar mund të përfundojnë brenda vitit”, tha ai, shkruan Telegrafi.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli ka thënë se në të këtë reformë të madhe në shëndetësi është edhe reduktimi i shpenzimeve nëpër institucione shëndetësore.

“Ky do të jetë një model i yni dhe nuk do të ndalem me kaq, por do të vazhdojmë edhe me institucionet tjera shëndetësore”, ka thënë Ismajli.

Drejtori i Shërbimit Klinik Universitar dhe Spitalor të Kosovës, Basri Sejdiu, ka thënë se ky projekt është një ndihmesë e madhe pasi ato kursime që bëhen do të shpërndahen ose në barna ose në shërbim të pacientëve.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marko Manotovanelli, tha se shumica e objekteve në këtë fazë të inaugurimit janë në fushën e shëndetësisë.

“Ne po e mbështesim qeverinë me një hua prej 31 milionë dollarë, ku qëllimi është kursimi i fondeve publike, që presim që brenda një viti të shkurtohen shpenzimet me miliona euro dhe ka për qëllim ruajtjen e ambientit”, ka thënë ai. /Telegrafi/