LAJMI I FUNDIT:

Intervistë me Fatmir Limajn: Pakoja e Ahtisarit është hapur, jemi futur në një fushë të rrezikshme

Intervistë me Fatmir Limajn: Pakoja e Ahtisarit është hapur, jemi futur në një fushë të rrezikshme

Lideri i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj mendon se gjatë vitit që kemi lënë pas, Kosova nuk ka shënuar ndonjë rezultat pozitiv serioz.

Sipas tij, përkundrazi, institucionet qeverisëse në Kosovë, e kanë futur Kosovën në një krizë të thellë.


Limaj vlerëson se sektorët e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë janë sektorët ku, jo vetëm që nuk ka pasur zhvillime, por përkundrazi, ka pasur edhe devalvim.

Veç këtyre, ai thotë se muri i Veriut është rezultat i papërgjegjësisë së institucioneve, në raport me bisedimet me Serbinë.

Lideri i NISMA-s, në një intervistë për Telegrafin ka folur edhe rreth Gjykatës Speciale, zgjedhjeve të fundit në Drenas dhe rrezikut të terrorizmit në Kosovë.

Muri në Veri, rezultat i bisedimeve

“Do të doja që në këtë përmbyllje viti të listoja rezultatet e arritura, por fatkeqësisht nuk kemi asgjë serioze për tu krenuar gjatë këtij viti që po e lëmë pas. Në planin e pozicionimit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, qoftë në rrafshin e brendshëm, nuk kemi ndonjë rezultat të prekshëm. Dhe kjo duke ju falënderuar politikave aventureske të kësaj qeverie të papërgjegjshme, jo transparente, pa kompetencë. Këta, vendin tonë e kanë sjellë në obligime të tmerrshme në raport me komunitetin ndërkombëtar, dhe do të jetë vështirë që çfarë do qeverie që vjen ta nxjerrë nga kjo situatë”, thotë Limaj.

Limaj vlerëson se që nga viti 2011 e deri më sot, nga fillimi i dialogut, jo që nuk kemi pasur integrim, por dezintegrim total të vendit, sidomos pjesës veriore.

“Këta e kanë hap pakon e Ahtisarit dhe kjo hapje më nuk ka mbyllje, kjo na fut në një fushë të rrezikshme tek e cila nuk e dimë se ku do të ndalemi. Këta njerëz janë të zënë peng për fatin e tyre personal dhe po duan që Kosovën ta mbajnë peng, derisa të nxjerrin veten e tyre. Që nga viti 2011, doganat janë ndarë; tatimet janë ndarë, sistemi i sigurisë është ndarë, drejtësia është ndarë, distribucioni i rrymës është ndarë, e në fund edhe telekomunikacioni – për çfarë integrimi po flasim?”.

“Atje ka qenë një situatë e ngrirë. E sot, me bekimin e dy tre njerëzve po i legjitimojnë strukturat e tyre paralele dhe po e legjitimojnë ndarjen, dhe fundi i krejt këtyre është Asociacioni”.

“E tani, për të treguar se këto bisedime as nuk kanë qenë të drejta dhe kanë qenë tinëzare, tregon dalja e murit në Veri, i cili është rezultat i këtyre bisedimeve. Dhe tani del debati aq i papërgjegjshëm, se kush e ka fajin? Fajin e ka kryeministri dhe ish-kryeministri. Muri nuk ka rëndësi sa është i gjatë e i gjerë, a është me shkallë a pa shkallë, me rëndësi është simbolika e tij, që është ndarja. Dhe nëse vazhdohet kështu, dyshoj se kufiri do të jetë aty ku është muri”.

Përveç zhvillimeve politike, lideri i NISMA-s ka folur edhe rreth mungesës së investimeve të reja.

“Cilat janë ato investime? Ne nuk po shohim ndonjë projekt që ka ndodhur në vitin 2016, i cili do të hapte vende të reja të punës. Përkundrazi, gjatë këtij viti kemi humbur 25 mijë vende të punës. Ka mbyllje të shumë bizneseve, nuk ka mundësi të reja në sektorin e bujqësisë – në shumë sektorë është parë kriza”.

“Politikat e subvencioneve, janë fonde afatshkurta, të mbijetesës. Bujqit sot nuk kanë nevojë për 50 euro, me i mbajt te shallteri. Bujqit sot kanë nevojë për investime serioze që me hap mundësi perspektive, të prodhimit dhe që ua mbron prodhimin. Perimet që mbillen, nëse nuk kanë treg, hidhen. Sepse shteti nuk u garanton çmimin minimal”.

Andaj, sipas tij, në Kosovë duhet filluar me investime të fuqishme në bujqësi, 200-300 milionë euro, investime të pandërprera, gjë që Limaj thotë se do ta bënte nëse do të vinte në pushtet.

“I vetmi sektor ku Kosova mund të bëjë diçka është bujqësia. Fondet do të siguroheshin përmes buxhetit – do të bëhej vetëm ridestinim i mjeteve, nga rrugët në bujqësi”.

Veç kësaj, vlerëson Limaj, në sektorin e shëndetësisë, për shembull, gjendja jo që është përmirësuar, por është vështirësuar.

“Sa ka kënaq ky sektor nevojat e qytetarëve? Aspak. Qytetarët vazhdojnë të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Kjo nënkupton shpenzime të parave jashtë Kosovës”.

Sa për sektorin e arsimit, gjegjësisht zhvillimet në këtë sektor, ai vlerëson se nuk kemi se çfarë të themi përveçse asaj që ka thënë PISA.

“Logjika e universiteteve nëpër komuna ka qenë katastrofale. Kemi krijuar streha sociale, universitete të votës. Universitetet janë hapur duke mos matur tregun. Për shembull, në shumicën e tyre kemi fakultete juridike, pa i përmendur ato private”.

Gjykata Speciale me elemente raciste

Fatmir Limaj, në intervistën për Telegrafin ka folur edhe rreth fillimit të punës së Gjykatës Speciale.

Lideri i NISMA-s konsideron se vendimi për Gjykatën Speciale, është vendimi më i turpshëm që ka bërë Kuvendi i Kosovës.

“Ne kemi pranuar një gjykatë speciale një etnike, dhe kjo është me elemente raciste. Kemi pranuar që të themelohet një gjykatë që të ndjek krimet e supozuara të një grupi ndaj një grupi tjetër. Me këtë veprim si jemi duke u sjellë me viktimat e tjera të Kosovës? Kush jep përgjegjësi për qindra masakrat në Kosovë? Kush jep përgjegjësi për 12 mijë vetë që janë vrarë në Kosovë?. Krimi nuk ka etnitet dhe ne kemi thënë që nuk ka nevojë për gjykatë, por nëse bëhet, të gjykojë të gjitha krimet”.

Sa i përket deklaratave se përmes kësaj gjykate, pritet të bëhet “pastrimi i luftës së UÇK-së”, Limaj ka thënë se “nëse dikush ka diçka për të pastruar, le të pastrojë, UÇK është e pastër”.

Përveç problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova dhe mundësisë së zgjidhjes së tyre, Fatmir Limaj, në intervistën për Telegrafin ka folur edhe për raportet e opozitës dhe zgjedhjet e fundit në Drenas.

“Ne kemi një aleancë me AAK dhe po funksionon mirë. Nëse opozita nuk gjen rrugë të afrimit për t’i afruar vendit ndryshime, kjo opozitë është e papërgjegjshme dhe mban përgjegjësi. Ne me aleancën kemi bërë një hap, dhe kemi lënë derën hapur edhe për të tjerë që duan të na bashkohen”.

“Në Drenas, pas 16 viteve kemi një frymë demokratike. Për herë të parë është bërë fushatë elektorale. Për herë të parë, qytetarët e Drenasit kanë filluar të kërkojnë llogari. Krejt kjo ka sjellë ato rezultatet ku 55 për qind e qytetarëve kanë votuar për ndryshim”.

Për fund, lideri i NISMA-s ka folur për rrezikun e ballafaqimit të Kosovës me terrorizmin.

Sipas tij, shoqëria kosovare është ajo që duhet reaguar, duke kultivuar vlerat, traditat e veta.

“Ai njeri që kërkon që në Kosovë të bëhem unë si arab, duhet izoluar, duhet distancuar prej tij. Ai njeri që kërkon të ma mohojë vlerën e Skënderbeut, ai gjithashtu duhet të jetë i izoluar. Kush don me jetu në Kosovë duhet të jetojë me traditat tona. Unë jam besimtar, ama boshti im është flamuri i Skënderbeut, dhe këtu duhet të jemi pa kompromis”.

“Ata njerëz që promovojnë, frymëzojnë në këtë mënyrë, janë armiqtë më të madh të fesë. Nëse ky komb ka diçka krenare, ka identitetin e vet kombëtar, ai është i shenjtë, pastaj vijnë tjerat. Kjo është tradita jonë – a jemi mirë a s’jemi, t’ia lëmë Zotit ta vlerësojë këtë”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Policia e Kosovës gjen kamera në rrugët malore në kufirin Kosovë-Serbi

Lajme
Tragjedia në Shkodër, prokuroria zbulon mesazhet ofenduese dhe tradhtinë në celularin e bashkëshortit të Alma Arrazit

Tragjedia në Shkodër, prokuroria zbulon mesazhet ofenduese dhe tradhtinë në celularin e bashkëshortit të Alma Arrazit

Lajme
FSK trajnohet për automjetet luftarake Vuran

FSK trajnohet për automjetet luftarake Vuran

Siguri
Pas tre fëmijëve, gjendet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit në ujërat e Bunës

Pas tre fëmijëve, gjendet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit në ujërat e Bunës

Lajme
Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë

Lajme
Gjendet trupi i fëmijës së tretë të mbytur në Lumin Bunë, vazhdojnë kërkimet për Alma Arrazin

Gjendet trupi i fëmijës së tretë të mbytur në Lumin Bunë, vazhdojnë kërkimet për Alma Arrazin

Lajme
Kalo në kategori