LAJMI I FUNDIT:

Interi lëshon terren në fund, ndalet në shtëpi nga Atalanta

Interi lëshon terren në fund, ndalet në shtëpi nga Atalanta
Inter - Atalanta (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Interi ka lëshuar terren në fund për të barazuar në shtëpi 1-1 ndaj Atalantas në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Serie A.

Ekipi i Antonio Contes ka humbur një mundësi ideale për të ngritur epërsinë me ndjekësit në pozitën e parë, por janë ndalur nga Atalanta.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por vendasit e Interit arritën të gjejnë edhe golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e katërt dhe ishte Lautaro Martinez, i cili shënoi për 1-0 pas një bashkëveprimi me Romelu Lukaku.

Festa e Lautaros pas golit (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Atalanta kishte krejtësisht tjetër fytyrë duke krijuar shumë më shumë raste, ndërsa Interi tentonte me kundërsulme.

Mysafirët pas disa rasteve të krijuara arritën ta gjejnë golin e barazimit 1-1 me anë të Robin Gosens, i cili shënoi pas një tollovie në zonë.

Atalanta pati mundësi ideale në minutën e 88-të të shënonte nga penalltia dhe ta fitonte ndeshjen, por Samir Handanovic priti goditjen e Luis Muriel dhe takimi përfundoi baras 1-1.

Pas këtij barazimi, Interi gjendet në vendin e parë me 46 pikë apo një më shumë se Juventusit që zhvillon ndeshjen nesër ndaj Romës, ndërsa Atalanta renditet e pesta me 35 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Interi udhëton te Lecce, ndërsa Atalanta e pret Spalin. /Telegrafi/