Shiu i madh përmbyti shtëpinë në "Arbëri", banori: “Dëmi shkon deri në 15 mijë euro” – flasin Komuna dhe KRU “Prishtina”

Një shtëpi në rrugën “Bajram Curri”, në lagjen "Arbëria" të Prishtinës, është përfshirë nga uji pas reshjeve të 29 gushtit, duke shkaktuar dëme materiale në oborr dhe në katin përdhes të banesës.
Banori i shtëpisë, Nexhmedin Kurti, ka thënë se uji ka depërtuar në banesë dhe se dëmet e shkaktuara mund të arrijnë deri në 15 mijë euro.
“Ka hi në banesën time dhe e ka dëmtu prej dhjetë deri pesëmbëdhjetë mijë euro. Komisioni do t’i vlerësojë ato, po s’ka lidhje. Do e pres komisionin”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka kritikuar edhe gjendjen e rrugës dhe punimet që po zhvillohen në këtë pjesë të qytetit, duke thënë se mbeturinat dhe bllokimi i pusetave kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës.
“Pse bërllogjet janë aty, kanë hi nëpër puseta dhe e ka dëmtu banesën time. Ka qenë e planifikume për 6-7 muaj me u rregullu. Pse u blloku, ajo është sekret, s’e di”, ka thënë Kurti.

Edhe banori Xhelal Rrmoku ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e rrugës dhe punimet, duke thënë se reshjet mund të shkaktojnë përsëri probleme nëse situata nuk zgjidhet.
“Marum krejt pluhun, pluhun, pluhun, pluhun. Kanë punu e kanë prish ma zi se që ka qenë. Më mirë të na kishin lanë qashtu qysh ka qenë, kanë thanë me e rregullu qe gjashtë-shtatë muaj, mbaruam krejt, krejt mahalla”, ka deklaruar Rrmoku.

Ai ka shtuar se punimet, sipas tij, janë ndërprerë për shkak të problemeve me energjinë elektrike.
“Tash shkaku i rrymës i banderave, po më duket që e kanë ndërprerë punën. Po si të bjen edhe një shi te kojshia, prapë ka me shku. Unë vetëm dje çka e kam pa. Katastrofë, Zoti! Dje çka kam pa, e ka pagu punëtorët, e ka pagu pompën me nxjerrë ujin prej katit poshtë”, ka thënë Rrmoku.
Për këtë çështje ka reaguar edhe drejtoresha e Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Zyrihe Pllana.
Pllana ka thënë se punimet në rrugën “Bajram Curri” kanë filluar, por janë përballur me vonesa për shkak të shtyllave elektrike dhe rrjetit ekzistues të energjisë.

Sipas saj, janë vendosur kapakët e pusetave, ndërsa KRU “Prishtina” ka intervenuar në rrjetin e kanalizimit, duke e pastruar atë dhe duke eliminuar rrjedhjen e ujit.
Ajo ka theksuar se Komuna e Prishtinës është duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse për tejkalimin e pengesave dhe vazhdimin e punimeve.
Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka dhënë një tjetër version lidhur me shkakun e situatës së krijuar.

Sipas kompanisë, banori ishte i lidhur në mënyrë ilegale në pusetë dhe kjo lidhje, sipas KRU-së, ka ndikuar në shkaktimin e përmbytjes.
Kështu, përderisa banorët fajësojnë gjendjen e rrugës, punimet dhe bllokimin e pusetave për dëmet e shkaktuara, KRU “Prishtina” pretendon se lidhja ilegale e banorit në pusetë ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar në krijimin e kësaj situate. /Telegrafi/







































