Punëtorët teknikë të sektorit privat që kryejnë shërbime në institucionet arsimore të Komunës së Prishtinës kanë hyrë në ditën e dytë të grevës, për shkak të mospagesës së një pjese të pagës për muajin korrik dhe pagës së muajit gusht.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët aktualisht janë rreth 45 ditë pa marrë pagat dhe se, pavarësisht takimeve me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ende nuk është gjetur një zgjidhje.


Azemi ka bërë të ditur se sot kanë zhvilluar një takim me drejtorin e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshanin, si dhe me zyrtarin komunal Arben Gashi.

“Kemi hyrë në grevë për shkak të një pjese të mospagesës për muajin korrik dhe pagës së muajit gusht. Kjo nënkupton që këta punëtorë në këto momente janë 45 ditë pa pagesë”, ka deklaruar Azemi.

Sipas tij, sindikata ka ofruar një opsion për pagesën e pjesës së mbetur të pagës për muajin korrik, por ky propozim nuk është pranuar në takimin e zhvilluar me zyrtarët komunalë.

“Ne kemi ofruar një opsion për pagat e korrikut, një marrëveshje gjentëlmenësh, e cila në njëfarë forme sot nuk kemi mundur ta definojmë çështjen e pagave. Nëse nuk mund të definohet, atëherë ne tërhiqemi nga marrëveshja që e kemi pasur dje”, ka thënë ai.

Azemi ka deklaruar se për 10 ditët e punës për muajin korrik është ofruar një opsion prej 391 eurosh ose 425 euro bruto.

“Sa i përket pagesës së punës së 10 ditëve për korrikun, krejt kjo po ndodh jo për mungesë mjetesh dhe jo për realitetin, sepse zyrtarët komunalë të Prishtinës i kemi paralajmëruar më shumë se një muaj se do të vijmë deri te kjo bllokadë”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka theksuar se kontratat e punëtorëve janë nënshkruar me shumën prej 425 eurosh dhe se sindikata kërkon që punëtorët të paguhen sipas obligimeve që kanë ndaj tyre.

“Nuk është menduar paga minimale kur e kanë nënshkruar kontratën. E kanë nënshkruar 425 euro. Paratë, nëse i qesin në llogari, duhet me i marrë. Zgjidhje s’ka, nga greva dalim vetëm nëse bëhet kjo ofertë që e kemi ofruar ne”, ka thënë ai.

Azemi ka bërë të ditur se sindikata nuk do të vazhdojë bisedimet me zyrtarët, nëse nuk gjendet një zgjidhje konkrete.

“Pas takimit me drejtorin e Arsimit, ai as nuk tentoi dhe as nuk e shqyrtoi që të pranohet kjo ofertë. Prandaj, ne nuk duam të bisedojmë më me askënd. E vetmja bisedë është atëherë kur mjetet që na i kanë borxh të jenë në llogaritë tona. Atëherë dalim nga greva”, është shprehur Azemi.

Ai ka thënë se sindikata i ka paralajmëruar institucionet komunale për grevën më shumë se një muaj më parë, duke përfshirë kryetarin e Komunës, drejtorin dhe nënkryetarin.

“I kemi kryer obligimet tona para një muaji. E kemi njoftuar kryetarin e Komunës, drejtorin dhe nënkryetarin se do të hyjmë në grevë. Ne jemi komod nëse nuk i kryeni obligimet tuaja”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, vonesa e pagave po rëndon drejtpërdrejt mbi familjet e punëtorëve, të cilët kanë shpenzime të përditshme dhe obligime financiare.

“Sot punëtorët i kanë fëmijët e tyre për t’i çuar në shkollë, kanë mjete që i kanë shpenzuar, kanë obligime edhe për shërbime të tjera. Kjo bie në barrën e personave të papërgjegjshëm. Mjaft i kemi të vogla pagat dhe këto të vonohen, ne po skllavërohemi”, ka deklaruar ai.

Duke folur për hapat e mëtejmë, Azemi ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa për zgjidhjen e çështjes së pagave, sindikata mund të shqyrtojë edhe forma më radikale të protestës.

“Nëse nuk ndërmerren masa, për masa më radikale nuk mendoj të bëjmë masa më radikale, mendoj aj qe e kupton mas më radikale me i lanë pa pastrim shkollat dhe nxënësit është masa më e madhe. Ne mendojmë se vetëm me grevë nuk mendoj se do të vijmë deri aty se nuk kanë qare pa lëvizur, ka penges se nuk kanë dasht me i kry obligimet e veta, për mua janë përsona të papërgjegjshëm këta mund ta bej vetëm një person i krisur", ka deklaruar Azemi./Telegrafi/