Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit thotë se prokurorët e shkallës së parë po komentojnë vendimet e tyre

Në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të enjten, kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami tha se prokurorët e Prokurorive Themelore apo të asaj Speciale jo vetëm që nuk zbatojnë udhëzimet e tyre por edhe i komentojnë vendimet e tyre si Prokurori e Apelit.
Tek kjo erdhi pas diskutimit lidhur me unifikimin e praktikës brenda sistemit prokurorial dhe gjatë raportimit të Bajramit për punën e Prokurorisë për vitin 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jo vetëm që nuk i zbatojnë udhëzimet e Prokurorisë së Apelit, por më tepër lëshohen dhe komentojnë vendime të Prokurorisë së Apelit dhe se a kanë mandat apo jo në dhënie të atyre rekomandimeve”, tha Bajrami.
Për këtë, Bajrami tha se e ka njoftuar më herët Kryeprokurorin e Shtetit dhe se edhe tash do të njoftojë Zejnullah Gashin për emrat e prokurorëve që veprojnë kësisoj.
Në anën tjetër, kryesuesi Arian Gashi tha se është në kompetencë të kësaj Prokurorie që të lëshojë rekomandime dhe duhet vazhdimisht të punohet ashtu që të hiqet ping-pongu me kthimin e rasteve nga Prokuroria Apelit në Prokuroritë Themelore.
Për këtë, Bajrami tha se kur nuk po gjejnë zbatim udhëzimet e tyre, po detyrohen t’i kthejnë sërish në rivendosje.
Bajrami-Kastrati i thotë Kryeprokurorit të Apelit se performanca e tij ka dalë negative, ai thotë që s’është i njoftuar
(Përditësuar, ora 13:24)- Në takimin e 301-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) gjatë raportimit të Kryeprokurori të Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami për punën e kësaj Prokurorie për vitin 2025, anëtarja Elza Bajrami-Kastrati i tha se performanca e tij ka dalë negative, por që Bajrami tha se nuk është në dijeni.
“ …tani edhe performanca ka dalë negative e juaja”, tha Bajrami-Kastrati.
Por, Bajrami tha se për këtë nuk është i njoftuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Performanca ime se a ka dalë negative a si unë ende nuk jam i njoftum”, tha Bajrami.
Fillimisht, anëtarja Bajrami-Kastrati tha se disa vendime të kryeprokurorit Bajrami lidhur me kompetecën për hetim të disa kryetarëve të komunave janë të tilla që ka vendosur që të trajtohen nga Prokuroritë Themelore e jo ajo Speciale, e që sipas saj, më pas Kryeprokurori Shtetit i ka prishur ato vendime.
Bajrami tha se nga 64 vendime që ka nxjerrë, mund të jenë dy sosh. Tha se në rast se dy vendime ndikojnë në tërësinë e vlerësimit të performancës së tij, atëherë atë e vlerëson vetë Komisoni Performancës.
Kryeprokurori Bajrami paraprakisht tha se gjatë vitit 2025 kanë pranuar 10 mijë e 379 lëndë të reja në punë dhe se pa u zgjidhur në fund kanë mbetur vetëm 14 prej tyre.
Andaj, për këtë tha se është një sukses i përbashkët i Prokurorisë.
Në anën tjetër anëtari, Visar Krasniqi përmendi cilësinë e ankesave. Bajrami tha se për këtë vazhdimisht gjatë takimeve e ka theksuar se për ankesat ndaj vendimeve të gjykatave që ushtrohen nga Prokuroritë Themelore dhe Speciale nuk janë të kënaqur me cilësinë e tyre.
Gjithashtu, Krasniqi tha se a duhet me doemos të futet nën hetim dikush kur nuk ka dyshim të bazuar. Për këtë, Bajrami tha se prokurori gëzon autonomi për vendimmarrje duke shtuar se duhet të vendoset bazuar në shkresat e lëndës.
Tutje, lidhur me unifikimin e praktikës, Bajrami deklaroi se ka mendime të ndryshme dhe se vazhdimisht gjatë mbajtjes së kolegjiumeve mundohen që të punojnë drejtëunifikimit.
Pyetjes së anëtarit Krasniqi se a ka nxjerrë rekomandime, Bajrami iu përgjigj duke thënë se në procesverbale të kolegjiumeve shënohen të gjitha.
KPK-ja nuk e miraton raportin e Isufajt për punën e PSRK-së për vitin 2025
(Përditësuar, ora 13:14)- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) pas përfundimit të raportimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës (KPK), Blerim Isufajt, të enjten, refuzoi miratimin e raportit të punës për këtë Prokurori për vitin 2025.
Anëtarët e KPK-së, me katër vota kundër, nuk e miratuan këtë raport, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paraprakisht, anëtari Visar Krasniqi tha se në pyetjet që ka paraqitur si anëtar ndaj kryeprokurorit Isufaj, nuk ka gjet përgjigje- sidomos te pjesa e zbatimit për ndarjen elektronike të lëndëve.
Andaj, Krasniqi tha se do të votojë kundër dhe për të gjitha do të njoftojë Kryeprokurorin e Shtetit.
Kundër votuan edhe: Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa, ndërkaq për miratim votuan: Arian Gashi- kryesues, Zejnullag Gashi- Kryeprokuror i Shtetit dhe Milot Krasniqi- anëtar.
Më pas, Gashi tha se bazuar në rregullore, raporti i kthehet Isufajt, pasi që nuk ka gjet miratim në Këshill ndërkaq pjesa që duhet të publikohet në ueb-faqe, për këtë do të obligohet Sekretariati i KPK-së.
Isufaj paraqet statistikat e punës së PSRK-së për vitin 2025: 11 të pandehur u shpallën fajtorë për krime lufte, 43 për korrupsion e krim financiar
(Përditësuar, ora 13:08)- Në takimin e mbajtur të enjten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë raportimit për vitin 2025, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj prezentoi raportin e punës për këtë Prokurori.
Isufaj tha se gjatë vitit 2025 ka pasur lëvizje të tre prokurorëve dhe se aktualisht në punë janë 22 prokurorë të ngarkuar me lëndë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më tej, Isufaj tha se pas ngritjes së aktakuzës, vendimet e gjykatës bazuar në departamente janë si në vijim: Krime lufte- hudhje e aktakuzës një rast, 11 persona të shpallur fajtorë, një i liruar dhe një rast kur është refuzuar aktakuza.
Për krim të organizuar, Isufaj tha se janë dy hudhje të aktakuzës, 81 persona të shpallurë fajtorë, 44 të liruar dhe për 22 është refuzuar aktakuza.
Më tej, për terrorizëm tha se janë tri aktakuza të hudhura, 15 persona të shpallur fajtorë, ndërkaq 4 të liruar.
Kurse për korrupsion dhe krim financiar, tha se janë 22 hudhje të aktakuzave, të shpallur fajtorë 43 persona, të liruar 30 dhe në një rast është refuzuar aktakuza.
Isufaj theksoi se është e paraqitur në raportin e dorëzuar Këshillit edhe performanca e secilit prokuror të Prokurorisë.
“A keni ndërmarrë ndonjë veprim konkret apo a keni iniciuar ndonjë rast se nga po rjredhin këto informacione për të ditë se kush është përgjegjës, sidomos te portali Paparaci”, tha Muqa.
Në anën tjetër, Isufaj tha se duhet të përmenden se cilat raste pasi që nuk është në dijeni, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në anën tjetër, Muqa i përmendi rastin e anëtares së KPK-së, Elza Bajrami-Kastrati, e që Kryeprokurori tha se në emrin e tij nuk ka pranuar asnjëherë apo nuk ka dhënë informacione dhe nëse e di se kush e bën, kërkoi t’i jepet emri.
Mirëpo, anëtarja Muqaj tha se nuk e di dhe se për këtë si kryeprokuror duhet ta analizojë dhe të merret me këtë situatë.
Në anën tjetër, kryesuesi Arian Gashi tha se për rastet që Prokuroria Speciale ka në hetim, gjithsesi duhet të njoftohet publiku por “pa bërë filma”.
“Po m’u njoftu gjithsesi, por pa bërë filma”, u shpreh Gashi.
Në anën tjetër, Blerim Isufaj tha se kujdesen që të njoftojnë publiku për rastet me interes.
Kryeprokurori Blerim Isufaj: Po raportoj sikur para një komisioni hetimor
(Përditësuar, ora 12:55)- Në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të enjten, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj gjatë raportimit për punën e kësaj Prokurorie për vitin 2025, deklaroi se i duket sikurse është duke raportuar para një komisioni hetimor.
“S’po më duket që jam tu raportu para KPK-së, po sikur para një komisioni hetimor”, tha Isufaj.
Deri te ky deklarim erdhi gjatë parashtrimit të pyetjeve nga ana e anëtarit të KPK-së, Visar Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, në anë tjetër tha se është i obliguar të përgjigjet në pytjet e anëtarëve.
“Anëtarët nuk janë të raportojnë para jush, tani është koha të raportojë Kryeprokurori para anëtarëve”, tha Gashi.
Më pas, anëtari Krasniqi pyeti kryeprokurorin Isufaj se a i kujtohet kur ka raportuar para KPK-së herën e fundit.
Për këtë, Isufaj deklaroi se ka raportuar para Këshillit dhe se ka qenë prezent edhe vetë Krasniqi.
Isufaj shtoi se Prokuroria Speciale për vitin 2025 ka pasur sukses në trajtimin e rasteve që ka pasur në punë si Prokurori, duke theksuar se ka aktakuza ndaj ministrave, ish-ministrave, drejtorë dhe udhëheqës të bordeve.
Kryeprokurori tha se Prokuroria ka mungesë të stafit të prokurorëve përkundër faktit se është shtuar numri i lëndëve që kjo Prokurori ka në punë. Sipas tij, PSRK-ja ka nevojë për së paku shtatë prokurorë të rinj.
Në anën tjetër, anëtari Krasniqi tha se bazuar në analizën që ka Këshilli, del se tetë prokurorë janë më tepër në këtë Prokurori.
Në pyetjen e Krasniqit për zbatim të SMIL-it, Kryeprokurori Isufaj tha se është duke u zbatuar si Rregullore.
Në anën tjetër, Krasniqi tha se deri në prill të vitit 2026 nuk është zbatuar, duke kërkuar arsye se përse nuk ka ndodhur kjo gjë.
Isufaj tha se rastet hetimore në Prokurori janë specifike, ka ekipe të përbashkta hetimore dhe ka specifika të veçanta.
Anëtari i KPK-së thotë se prokurorët ankohen për mungesë të kolegjiumeve tash e katër vite, Isufaj e kundërshton
Prishtinë- Në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të mërkurën, gjatë raportimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Specale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, anëtari Visar Krasniqi tha se nga prokurorët e Prokurorisë Speciale kanë ankesa se nuk janë mbajtur kolegjiume me prokurorët së paku tash e katër vite.
“Prokurorët ankohen që nuk ka pas kolegjiume së paku katër vite”, tha Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për këtë u përgjigj Isufaj, duke thënë se nuk është e vërtetë.
“Nuk është e vërtet”, u shpreh kryeprokurori Isufaj.
Isufaj tha se ka takime të kolegjiumeve me departamentet përkatëse dhe se zhvillojnë diskutime për sfidat që kanë si prokurorë.
Më tej, gjatë raportimit, anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se bazuar në lëndët që pranojnë Prokuroria Speciale dhe totalin e lëndëve që ka, del se performanca e Prokurorisë është 23 për qind.
“Çfarë efikasiteti është ky kur edhe shumicën e lëndëve i keni pushim të hetimeve, e pak ngritje”, deklaroi Bajrami-Kastrati.
Tutje, Bajrami tha se kryeprokurori nuk ka pranuar as në takim kryetarin e Komisionit për Adminsitrim dhe Buxhet për të paraqitur mungesat dhe sfidat e Prokurorisë.
Në anën tjetër, Isufaj deklaroi se efikasiteti i Prokuroris rritet kur rrittet numri i prokurorëve në këtë Prokurori.
Në pyetjet e anëtarit Dardan Vuniqi, Isufaj tha se vazhdimisht zhvillojnë takime me prokurorët për trajtim të çështjeve me rëndësi. /BetimipërDrejtësi/








































