LAJMI I FUNDIT:

Infrastruktura kritike dixhitale si mjet për konflikt kibernetik në rajon

Infrastruktura kritike dixhitale si mjet për konflikt kibernetik në rajon

Fokusi drejt krijimit të reziliencës kibernetike në sektorin publik dhe privat, duhet të veçojë angazhimin në gjithë strukturat dhe sektorët e infrastrukturës kritike.

Si fillim mbetet dhjetori i vitit 2015, që të kujton se si kompanitë e energjisë ukrainase përjetuan ndërprerje të paplanifikuara të energjisë elektrike – duke ndikuar në rreth 230 mijë njerëz dhe familje, në një kohë shumë të ftoftë dimri në Ukrainë. Përveç kësaj, ka pasur gjithashtu raporte për viruse [malware] të gjetur në kompanitë ukrainase në një sërë sektorësh të infrastrukturës kritike.


Në mënyrë të befasishme, por të paralajmëruar nga grupet e hakerëve, këto ditë Shqipëria u godit nga një seri e sulmeve kibernetike të cilat kishin të njëjtin akter, por me qëllime më ndryshe. Kësaj radhe u sulmuan kompanitë e telekomit, Parlamenti dhe disa agjencitë e pavarura.  Po e vë theksin te telekomi si një ndër sektorët e rëndësishëm të infrastrukturës kritike

Nga një perspektivë strategjike, rajoni po përballet me sfida të mëdha të sigurisë dhe të stabilitetit, ndërsa një nga faktorët kyç që ka potencialin për të rritur tensionin është infrastruktura kritike. Strukturat ekzistuese të mbrojtjes – nga ndërtimi dhe mirëmbajtja e kësaj infrastrukture – po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe kanë ndikim të thellë në raportet ndërmjet vendeve të rajonit.

Në fillim duhet të theksojmë se infrastruktura kritike përfshin një gamë të gjerë sektorësh, nga energjetika dhe transporti, telekomunikimi e deri te teknologjitë informative. Secila nga këto fusha ka një rol të rëndësishëm në funksionimin e shteteve dhe ekonomive, por po ashtu mund të shërbejë si burim potencial i konflikteve. Ndërtimi i projekteve të mëdha infrastrukturore, siç janë autostradat e reja, rrjetet e transportit dhe lidhjet e energjisë, shpeshherë shoqërohet me interesat strategjike dhe me politikat e jashtme, duke rritur tensionet dhe rivalitetin mes vendeve. Sepse, sulmet e tilla, nuk konsiderohen vetëm si shkelje të sigurisë, por edhe si një deklaratë politike që mund të reflektojë tensione më të gjera gjeopolitike – duke mos harruar se Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Është e rëndësishme të theksohet se Shqipëria dhe vendet e rajonit ende nuk po e gjejnë modusin e përbashkët për të krijuar hapësirë të sigurt kibernetike – me fokus në infrastrukturën kritike. Përkundër investimeve harduerike, trajnimit të stafit profesional dhe higjienës kibernetike për zyrtarët, në vazhdimësi ekziston një shkarje dhe dobësi në zinxhirin e komunikimit dhe sulmeve të përsëritura kibernetike.

Sulmi I fundit nënvizon brishtësinë e infrastrukturës kritike dixhitale dhe thekson një nevojë kritike për masa të përmirësuara të sigurisë kibernetike. Privatësia e përdoruesve të panumërt është në rrezik dhe besueshmëria ndaj shërbimeve dixhitale është vënë në pikëpyetje.

Megjithatë, infrastruktura kritike nuk duhet të shihet vetëm si burim tensionesh, por mund të jetë edhe mjet për përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit. Investimet në projekte të përbashkëta infrastrukturore mund të sjellin zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. Një qasje e përbashkët ndaj infrastrukturës kritike mund të ndihmojë në thellimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe të sjell një klimë më të favorshme për paqen dhe stabilitetin.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme që vendet e rajonit të krijojnë një platformë të përbashkët për diskutim dhe koordinim në fushën e infrastrukturës kritike. Kjo mund të përfshijë hartimin e strategjive të përbashkëta, krijimin e mekanizmave të monitorimit dhe bashkëpunimin në implementimin e projekteve të rëndësishme. Një qasje e tillë do të mundësonte ndarjen e burimeve në mënyrë të drejtë dhe transparente dhe do të zvogëlonte ndjeshmërinë ndaj ndikimeve të huaja.

Si përfundim: infrastruktura kritike nuk është vetëm shenjë e progresit ekonomik, por edhe faktor që formon dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet vendeve. Rajoni ka nevojë për qasje të përbashkët ndaj infrastrukturës kritike, e cila do të inkurajojë bashkëpunimin dhe do të zvogëlojë tensionet potenciale. Nëse vendet e rajonit mund të ndërtojnë dhe menaxhojnë infrastrukturën kritike – në mënyrë të përbashkët – ato do të jenë në gjendje të krijojnë një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të sigurt për të ardhmen. Incidentet e tilla vazhdimisht janë kujtesë e ashpër e hapësirës kërcënuese në zhvillim dhe nevojës së vazhdueshme për vigjilencë dhe bashkëpunim rajonal për t’u mbrojtur.