LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni sfidon Bankën e Anglisë

Inflacioni sfidon Bankën e Anglisë

Inflacioni në Britani të Madhe ka mbetur i pandryshuar në muajin qershor, duke penguar përsëri Bankën e Anglisë për të rritur normën bazë të interesit, që pritet gjerësisht në gusht.

Pavarësisht çmimit të karburanteve që arritën nivelin më të lartë që prej shtatorit 2014, indeksi i çmimeve të konsumit mbeti i pandryshuar në 2.4 për qind për qershorin. Kjo shifër dështoi të arrijë projeksionet e analistëve, për një rritje me 2.6 për qind.


Ekonomia e Britanisë ka rifituar vrull pas nisjes së ngadaltë në fillim të vitit, ku moti i pazakontë ndikoi kërkesën. Inflacioni bazë, që heq ndikimin e energjisë dhe ushqimeve, ra në 1.9 për qind nga 2.1 për qind që ishte në maj, shumë poshtë projeksioneve të analistëve.

Zyra e statistikave në Londër raportoi rënien më të madhe mujore në çmimet e veshjeve që prej vitit 2012, ndërkohë që shitësit me pakicë kanë ulur çmimet për sezonin e verës. /Telegrafi/