LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni në Britani të Madhe shkon në 10 për qind, Banka e Anglisë pritet të rrisë normat e interesit

Inflacioni në Britani të Madhe shkon në 10 për qind, Banka e Anglisë pritet të rrisë normat e interesit

Banka e Anglisë duket e vendosur për të rritur normat e interesit këtë javë për herën e pestë që nga dhjetori i 2021-së. Kjo është rritja më e shpejtë e normave në 25 vite dhe ka të ngjarë që të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, teksa inflacioni pritet të arrijë në 10 për qind.

Në një kohë kur Britania e Madhe parashikohet të ketë ekonominë më të dobët në vitin 2023 midis vendeve të mëdha dhe të pasura të botës, investitorët dhe shumica e ekonomistëve po parashikojnë një rritje të normës prej çerek pike nga Banka e Anglisë. Kjo do të bënte që norma e bankës të shkonte në 1.25 për qind, niveli më i lartë që nga janari i vitit 2009, kur ekonomia e vendit u dëmtua nga kriza financiare botërore.

Investitorët vlerësojnë se Komiteti i Politikave Monetare të Bankës së Anglisë do të dyfishojë normën në 2 për qind deri në shtator, duke e ҫuar atë në 3 për qind deri në mars të vitit të ardhshëm. Edhe disa ekonomistë po rrisin parashikimet e tyre.

Sanjay Raja nga Deutsche Bank tha të premten se ai tani pret që normat të arrijnë kulmin në 2.5 për qind, një ndryshim nga deklarata e mëparshme ku maksimumi pritej të ishte 1.75 për qind, duke filluar me një rritje prej 0.25 për qind këtë javë.

Por kjo nuk e ndaloi inflacionin në Britani të Madhe që të arrinte në muajin prill nivelin më të lartë në 4 vitet e fundit prej 9 për qind, pothuajse pesë herë më shumë se objektivi i Bankës së Anglisë prej 2 për qind.

Banka mendon se inflacioni do të kalojë shifrën 10 për qind më vonë gjatë vitit 2022, kur tarifat e reja të energjisë do të rriten me 40 për qind. Konsumatorët tashmë kanë reduktuar shpenzimet e tyre, ndërkohë që ka shenja të një rënieje të aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.

Ekziston gjithashtu rreziku i një përshkallëzimi të mosmarrëveshjeve tregtare pas BREXIT-it midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, e cila mund të nxisë gjithashtu inflacionin. /Telegrafi/