Legjendat e futbollit meksikan kanë mposhtur kundërshtarët e tyre brazilianë me rezultatin 3-2 në një ndeshje miqësore festive të zhvilluar në stadiumin ‘Azteca’ në Mexico City.

Takimi mblodhi disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit të Meksikës dhe Brazilit.


Për vendasit u aktivizuan ish-reprezentues si Cuauhtemoc Blanco, Paco Palencia, Luis Roberto Alves, Luis Hernandez dhe Jose de Jesus Corona, të cilët u pritën nga një stadium i mbushur plot.

Ndeshja u organizua nga “Never Say Never” (NSN) dhe ishte pjesë e një serie aktivitetesh që lidhen me përgatitjet e Mexico Cityt si një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026, si dhe me rihapjen e stadiumit Azteca, i cili tashmë është riemëruar si stadiumi ‘Banorte’.

Brazili realizoi dy gola, ndërsa mes realizuesve për mysafirët ishte edhe ish-ylli i Milanit dhe Real Madridit, Ricardo Kaka.

Në përbërjen braziliane u paraqitën gjithashtu emra të njohur si kampionët e botës Ronaldinho Gaucho, Gilberto Silva, Lucio, Adriano dhe Juninho Paulista.

Meksika shënoi golin vendimtar për 3-2, duke siguruar fitoren dhe duke ndezur festën në stadium, e shoqëruar me fishekzjarre.

Ndeshja u zhvillua në dy pjesë nga 40 minuta secila, me numër të pakufizuar zëvendësimesh.

Për Brazilin, kjo përballje kishte edhe një simbolikë të veçantë, pasi shënoi rikthimin në stadiumin Azteca, ku “Seleçao” fitoi Kupën e Botës në vitin 1970, duke e bërë këtë arenë një nga më ikoniket për tifozët brazilianë. /Telegrafi/

telegrafi sport app