LAJMI I FUNDIT:

Iki bordi nga keqpërdorimet: A po shuhet AKB? (Video)

Iki bordi nga keqpërdorimet: A po shuhet AKB? (Video)

Aleanca më e madhe e shoqatave të bizneseve në vend, AKB-ja, nga sot ka mbetur pa udhëheqësit e bordit të saj, raporton KTV.

Dy nënkryetarët, Burim Piraj dhe Skënder Krasniqi, drejtorët e bordit Arsim Selmanaj dhe Hysni Zogaj, si dhe koordinatori Diamant Elshani, kanë vendosur të largohen nga bordi, për shkak të shumë keqpërdorimeve që, sipas tyre, kanë ndodhur që nga viti i kaluar.


Sipas nënkryetarit të dorëhequr, Burim Piraj, nga sot AKB-ja juridikisht është shuar dhe si e tillë nuk mund të funksionojë.

Mungesa e raporteve financiare, plani i të hyrave dhe shumë dyshime të tjera për keqpërdorime në këtë institucion, nën udhëheqjen e kryetarit Agim Shahini, kanë shtyrë udhëheqësit e këtij bordi të tërhiqen nga pozitat e tyre.

Udhëheqësit e dorëhequr të Aleancës Kosovare të Bizneseve, përmes një letre drejtuar presidentes, kryeministrit dhe ambasadave, kanë kërkuar që të hetohen të gjitha dyshimet e tyre lidhur me mënyrën si ka funksionuar AKB-ja gjatë kësaj periudhe, nën udhëheqjen e kryetarit Agim Shahini.

KTV-ja ka kontaktuar me kryetarin e AKB-së, Agim Shahini, por ai ka thënë se gjatë ditës do të japë sqarime për këtë çështje, pasi që nuk është në dijeni për dorëheqjet në këtë bord.