Legjenda e muzikës rok, nuk e ndal këngën e as britmat. Gazetari i ditores Guardian, Michael Hann, bisedon me këngëtarin më të njohur të grupit Deep Purple. Pjesë të shkrimit, Telegrafi sjell si më poshtë.

Mund të mendoni se në moshën 75-vjeçare, Ian Gillan është lodhur nga kënga “Smoke on the Water”. I është dashur ta këndojë pothuajse në çdo koncert, që nga viti 1972 – qoftë me grupet Deep Purple, Band Ian Gillan, apo Gillan. Madje, kishte keqkuptime teksa këndonte edhe për grupin Black Sabbath, në fillim të viteve 1980. Atij i është dashur t’i dëgjojë rifat më të njohur të rokut, mesatarisht në 50 koncerte në vit, përgjatë 48 vjetëve. Pra, 2500 here.

Por, s’e ka problem…

E kujton Luciano Pavarottin, me të cilin këndoi dy herë, e i cili një ditë e shprehu xhelozinë se si Gillani e këndon “Smoke on the Water”. “Më tha: ‘Gjashtë herë të dëgjova duke e kënduar, dhe çdo herë është ndryshe… Sikur ta bëja këtë me ariat e mia, sikur ta ndryshoja një grimcë të artikulimit apo të interpretimit, do të kryqëzohesha nga kritikët dhe nga adhuruesit, sepse kjo nuk na lejohet në operë. Duhet ta imitojmë interpretimin origjinal’”. Për dallim, thoshte se Gillani në asnjë rast nuk ka arsye që të ndihet i mërzitur.

Sigurisht, e ka pasur një jetë më të larmishme se shumica. Ka qenë këngëtari i grupit “Episode Six” (mos e quani grup i kabaresë: “Më duket fyese. Ishim një grup pop… “); ishte Krishti në incizimin origjinal të “Jesus Christ Superstar” (rokë-operë e Andrew Lloyd Webberit – v.j.), këngëtar i grupit Deep Purple në tri periudha të ndara përgjatë 51 vjetëve (me të cilin grup, në vitet 1969-73 shpiku tundjen e kokës), ka qenë këngëtari i grupit Black Sabbath, e drejtoi një hotel luksoz dhe kishte në pronësi një kompani motoçikletash… Këto aktivitete ndoshta e shtyjnë atë të thotë: “Kurrë s’e kam përshkruar veten si këngëtar i hard-rokut”. Është për keqardhje, sepse secili e përshkruan Gillanin ashtu.

Për pjesën më të madhe të karrierës së tij, Gillan nuk rrinte kot. Disa vjet këtu, pastaj me diçka tjetër. “Mendoj se besnikëria është e mbivlerësuar”, thotë ai. “Kam parë shumë muzikantë që kanë qëndruar në një anije, që me kohën fundoset. Disa gjëra kanë jetë të natyrshme dhe nëse nuk rifreskohen nga një ndryshim në personel ose rrethana, lodhen, e unë nuk dua të jem pjesë e kësaj”. Në paraqitjet e tij të ndryshme me grupin Deep Purple, ndryshimi shpesh ka ndodhur nga kapriçot e ish-kitaristit Ritchie Blackmore. “Të dy ishim të këqij”, thotë Gillan, duke shtuar se komunikojnë me vështirësi. “Ritchie nuk ka asgjë gjë elektronike në shtëpinë e tij – asnjë kompjuter, asnjë telefon, asgjë të tillë. Pra, është i paarritshëm. Por, çojmë mesazhe dhe atmosfera është mjaft e mirë”.

Ka qenë i aftë të marrë vetë vendime të çuditshme, në të kaluarën, shpesh me ndihmën e alkoolit. “Isha duke pirë me Tony Iommin dhe Geezer Butlerin. U dehëm shumë një natë. Menaxheri më thirri të nesërmen në mëngjes e më tha: ‘Nëse do të marrësh vendime në karrierë, a nuk mendon se duhet të flasim më parë?’ I thash: ‘Çka po flet’? ‘Ai tha: ‘Pranove mbrëmë t’i bashkohesh grupit Black Sabbath’ Asgjë nuk mbaja mend”.

Sidoqoftë, ai u bashkua Sabbath-ave për albumin “Born Again” dhe një turneu që cilësohet si ndër më të dobëtit e muzikës ro.

Alkooli për shumë vite luajti rol të madh në jetën e Gillanit. “Një pjesë të mrekullueshme”, sqaron ai. Autobiografia e tij thotë se kaloi shumë kohë ose duke pirë ose në kërkim të pijeve, por pinte për t’u dehur e jo si dikush që në çdo kohë kishte nevojë për një shishe pranë. Sidoqoftë, këto ditë, rutina e tij pas koncerteve është më shumë më e qetë. “Shtrat dhe një libër. E kuptova që më parë se duhet ta ndryshoj rrënjësisht stilin e jetës time, sepse nuk mund ta mbash të njëjtin teksa plakesh. Kur e ndaluan pirjen e duhanit në lokale, kjo ndikoi te unë… Kështu, tash nuk shkoj në lokale… Shkoj për qaj”.

Deep Purple vazhdojnë punën. Steve Morse, i cili zëvendësoi kitaristin Blackmore më 1994, vazhdon të jetë kitaristi me qëndrimin më të gjatë në grup. Don Airey më 2002 e merr detyrën nga Jon Lordi (i cili vdiq më 2012). Gillan, Glover dhe Ian Paice janë nga formacioni klasik i viteve 1969-73.

Si i përballon të gjitha këto Gillani?

“Njëzet a 30 vjet më parë u betova se nuk do të bërtas kur bëhem 75 vjeç. Dikur isha në gjendje të kërceja me shkop, kur isha atlet, por nuk e bëj as këtë më. Kam rënë rreth një ton në regjistrin tim e kjo e bën britmën të pamundur, megjithëse më ka mbet pak nga ajo. Jam me fat që jam në një grup si Deep Purple, që kryesisht është grup instrumental”. /Telegrafi/