eksperti-banner

Këto ditë u bë shumë aktuale çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve të fqinjëve tonë në vendet e zonës Shengen...andaj bëhen shumë pyetje: pse ata e fituan ketë të drejtë kurse qytetarët e Kosovës jo. Siç po duket kosovarët kanë “ende” kohë për të pritur edhe disa vjet deri sa t`u vijë radha...

Për aktualitetin lidhur me liberalizim vizash për kosovarët kohë më parë (më 21.07.2009) ka shkruar në gazetën “Koha Ditore” edhe Kryetari i Parlamentit z. dr.Jakup Krasniqi artikullin me titull ”Lëvizja e >lirë< dhe vizat për shqiptarët”, në të cilin artikull më bëri veçmas përshtypje analiza e autorit të nderuar, me të cilën “analizë” i terë faji i gjendjes së popullit shqiptar sot në përgjithësi dhe i atij të Kosovës në veçanti po i bie së kaluarës sonë të largët dhe të asaj më pak të largët historike, kurse për dhjetëvjetëshin e fundit faji mbetet gjithnjë jetim.


Mendoj se fajin kryesor për të gjitha të ligat që është duke përjetuar ky popull i lashtë dhe liridashës duhet kërkuar pikërisht tani edhe dhjetë vitet e fundit (të pas luftës), si edhe atë për mos marrjen në konsideratë të së drejtës legjitime të një populli për lëvizje të lirë nga ana e mekanizmave të BE-së.

Nuk është aspak e vërtetë se shqiptarët e Kosovës gjatë gjysmëshekullit të fundit nuk kanë arritur të ndërtojnë institucione të mirëfillta hulumtuese strategjike, arsimore etj. nëpër të cilat kanë punuar fytyra eminente, intelektualë të mirëfilltë me arsim paraprak të mbaruar nëpër qendrat e njohura universitare evropiane, të cilët sot mjerisht kanë ngelur “jashtë loje” sepse lidershipi i viteve të pas luftës për të cilin flet autori (me epitet më të lartë) e që me të vërtet kanë qenë dhe janë edhe sot të “pa kurrizorë”, pa një shkallë adekuate të formimit arsimor-profesional të mirëfilltë dhe që dinë të bëjnë “lepe-peqe” ndaj ç`do kujt i huaj që vjen në Kosovë .

Janë pikërisht fajtorët kryesor për gjendjen e mjeruar të popullit, sot me një papunësi enorme në Evropë e ndoshta edhe me gjerë me shifrën mbi 50% , duke përfshirë të gjitha grup-moshat dhe me 70% vetëm moshën e rinisë dhe me një varfëri të skajshme të popullatës me 30% etj…( shifra këto të dala nga Enti i Statistikave të Kosovës) që përjetojnë sot kosovarët në këtë shtet të lirë e “demokratik”.

Kësaj gjendje fatkeqësisht po i kontribuon edhe vendimi i fundit i “Parlamentit” Tuaj zotëri Krasniqi për ngritjen e pagave të “Parlamentarëve” sepse sipas tyre të “mjerëve” nuk po u mjaftojnë shumat e të ardhurave që kishin deri tani.

Autori mundohet t`ia hedh fajin gjeneratave të shkuara gjatë historisë, por si duket z. Krasniqi nuk paska njohuri për faktet historike (edhe pse vetë është historian profesionist) andaj i themi që faji qëndron pikërisht tek lidershipi i kohës kur jetojmë, si që e pranon edhe vet se edhe >dhjetë vjet pas luftës sillemi me fodulizëm e arrogancë, meskinitet, grykësi përbindëshi, vërtet ka bërë që të ngelemi< “bira e fundit e kavallit” në BE.
Për veprimet të tilla të grupeve dhe klaneve të caktuara, Evropa po na e jep dënimin në mënyrë kolektive, të cilin dënim nuk e meritojnë shtetasit kosovar.

Zotëri Krasniqi shprehet se po na përsëritet dukuria e mohimeve si të paraardhësve tanë, po mirë, themi se ata nuk ditën të gjendeshin në kohën kur jetuan...!!!

Lind pyetja, mirë që ata nuk kishin dijeni ndoshta edhe mundësi për të bërë më shumë, atëherë i nderur pse ju sot nuk bëni atë që paraardhësit tanë nuk mund t`a bënin?

Ata jetuan nën sundimet më të egra të huaja dhe bënë atë që ishte e mundur për të bërë, krijuan institucione si Universitetin, Akademi të Shkencave e të Arteve, Institutin Albanologjik, atë të Historisë, shumë botime, revista e gazeta, me urbanizim të shpejtuar të Kosovës, me Gjuhë Letrare Kombëtare, shkolla e spitale të shumta, me klinika, etj.etj. kurse lidershipi i sotëm i ynë të cilin askush nuk e pengon që të punojë dhe të veprojë lirshëm, mirë dhe drejt, të vendosë mekanizmat kryesorë të nevojshëm për ngritjen e një shtetit ligjor pa të cilin as sot as kurrën e kurrës nuk do të kemi shtet të mirëfilltë dhe as që do të jemi ndonjë herë në të ardhmen pjesë e BE-s.

Nga kjo del se pikërisht nga të njëjtit nuk përfillen përvojat e atyre qe dikur patën krijua diçka, deri sa këta të fundit mendojnë se historia fillon sot pikërisht me ta.

Më pëlqen fraza nga z.Krasniqi kur thotë se ”Kosovës njerëz të ditur, të përgjegjshëm e të përkushtuar nuk i mungojnë”, shprehje shumë e drejtë dhe e qëlluar kjo, por se veprimet të cilat i bën sot lidershipi kosovar, ku benë pjesë edhe z.Krasniqi, aspak nuk është duke u ndërmarrë diçka për ndryshimin e kësaj gjendje të mjerueshme të popullit të shumëvuajtur të Republikës së Kosovës, që në të kundërtën me kyçje të njerëzve me përvoja të duhura dhe me përgatitje adekuate akademike gjendja e tille do të lëvizte për së mbari.

Zotëri i nderuar, nga pozicioni që mbani sot, jo pak, jeni kryetar Parlamenti, keni mjaftë autorizime që ua siguron Kushtetuta dhe ligji si mundësi të filloni të ndryshoni gjendjen për të mire në institucionet e Republikës së Kosovës, të filloni ndërtimin e mekanizmave të mirëfilltë për respektimin e Kushtetutës si institucionin më i lartë i vendit dhe të gjitha ligjeve që dalin prej andej, me çka edhe do të binin një nga një të gjitha grupet dhe klanet jo formale të cilat po ia nxënë frymën këtij populli, po ia ndalin hapin e filluar nga shumë gjenerata para nesh me të vetmin synim të tij që në një kohë në të ardhmen sa më të afërt të jemi pjesë e barabartë mes të barabartëve në shtëpinë e madhe që i thonë Evropë.