I hoqën kurorën për postimet raciste, 'Miss North Carolina' paralajmëron padi

Brittany Boltinhouse, e cila u kurorëzua 'Miss North Carolina' më 28 qershor, ka humbur titullin më 5 gusht pasi u zbuluan postime të vjetra në rrjetet sociale që përmbanin fyerje raciste.
Boltinhouse ka refuzuar të kërkojë falje dhe ka paralajmëruar padi ndaj organizatorëve, duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe se është diskriminuar për bindjet e saj politike dhe fetare.
Ajo e përshkruan veten si konservatore dhe thotë se çështjen e postimeve do ta trajtojë në gjykatë.
Kur u pyet nëse do të kërkonte falje për përdorimin e fyerjeve, ajo u përgjigj prerazi: “Jo. Në asnjë mënyrë".
Nga ana tjetër, organizata 'Miss USA' ka deklaruar se vendimi nuk lidhet me një incident të vetëm, por me sjelljen përgjatë një periudhe të gjatë.
Organizatorët theksuan se nuk ndalojnë bindjet politike apo fetare të garueseve, por se kontratat kërkojnë respektimin e disa standardeve të sjelljes.
Avokati i Boltinhouse i ka cilësuar akuzat për racizëm, homofobi dhe transfobi si të rreme dhe shpifëse, derisa organizatorët këmbëngulin se vendimi është marrë pas shqyrtimit të materialeve publike dhe një bisede të drejtpërdrejtë me të.
Tashmë ish-'Miss North Carolina' pritet ta çojë çështjen në betejë ligjore, duke pretenduar se është trajtuar në mënyrë të padrejtë për shkak të bindjeve të saj. /Telegrafi/



















































