“Për konsum të brendshëm”, Vuçiq vazhdon me deklaratat për Ibrin

Ani pse Serbia po shkon drejt zgjedhjeve të reja, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vazhdon të merret me reagimet që kanë ardhur nga Kosova, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me deklaratat e tij për lumin Ibër.
Vuçiq edhe të enjten ka folur për kritikat ndaj tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke pretenduar se një ide e tillë ishte kërkuar më herët edhe nga Komuna e Novi Pazarit dhe organizata të caktuara nga ky qytet
Duke folur gjatë një vizite në fshatin Veliki Popoviq, në komunën e Despotovacit, Vuçiq tha se kërkesa lidhej me ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit dhe se për këtë çështje kishte ekzistuar edhe dokumentacion paraprak i projektit shkruan Danas.
Ai njoftoi se javën e ardhshme do të formohet një grup ekspertësh, i cili do ta shqyrtojë këtë çështje.
“Ata që reagojnë negativisht, me sa duket nisen nga vetja dhe mendojnë se dikush po bën diçka kundër dikujt”, tha Vuçiq, raporton Telegrafi.
Presidenti serb foli edhe për rastin e Nenad Rashkoviqit nga fshati Dren i Zubin Potokut, i cili ka pretenduar se është rrahur nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës i ka mohuar këto pretendime.











































