Polonia ka treguar se rindërtimi i shtetit të së drejtës në vend kërkon shumë më tepër kohë dhe energji sesa çmontimi i tij.

Nga: Blanche Leridon / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com


“Historike” është mbiemri që po përdoret shumë shpesh këto ditë, me rrezikun e banalizimit të fjalës dhe zbehjes së përmbajtjes së saj. Por, zgjedhjet hungareze të së dielës, që shënuan rënien e Viktor Orbánit pas 16 vjetësh në pushtet, e meritojnë këtë etiketë. Është larguar arkitekti kryesor i iliberalizmit evropian, njeriu që çmontoi shtetin e së drejtës në Hungari, që drejtoi një sistem të përhapur korrupsioni dhe që u pozicionua si kundërshtar i hapur i Ukrainës.

Niveli i këtij momenti është i pamohueshëm. Për Ukrainën dhe për projektin evropian lehtësimi është i prekshëm. Me një pjesëmarrje në zgjedhje prej 79.5 përqind - më e larta që vendi ka parë që nga rënia e BRSS-së - dhe një mobilizim të fortë të votës së të rinjve, populli hungarez ka dhënë një mandat të qartë për ndryshim. Pavarësisht mbështetjes së hapur të Donald Trumpit dhe sferës MAGA [Make America Great Again], pavarësisht një harte të manipuluar zgjedhore, në favor të tij, dhe një peizazhi mediatik fort të kontrolluar, Orbáni humbi. Madje, humbi aq bindshëm saqë u detyrua ta pranonte menjëherë humbjen. Pa dyshim, ka arsye që mbështetësit e demokracisë liberale të festojnë - një “pranverë e Budapestit” më vete.

Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj ngarkesës që mbart ky etiketim “historik”. Nuk duhet të presim shumë, shumë shpejt. Këtu kemi të bëjmë me “histori afatgjatë” - zgjedhjet e vetme nuk mund të sjellin rikthimin e menjëhershëm në demokracinë liberale. Përvoja në gjithë Evropën tregon se këto episode nacional-populiste nuk janë thjesht paranteza; ato lënë plagë të thella që kërkojnë vite për t’u shëruar.

Shembulli i Polonisë tregon se ky proces do të marrë kohë. Kur Koalicioni Qytetar i Donald Tuskut mposhti partinë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në vitin 2023, pati një eufori të ngjashme. Megjithatë, më shumë se dy vjet më vonë, shteti i së drejtës në Poloni ende nuk është rikthyer plotësisht dhe PiS-i mbetet forcë e fuqishme: është grupi më i madh parlamentar për nga numri i vendeve dhe presidenti polak, Karol Nawrocki, mbështetet nga kjo parti. Ky “paradoks polak” buron nga tensioni i brendshëm i përpjekjes për të çmontuar një sistem iliberal duke respektuar pikërisht parimet demokratike që synohen të rikthehen. Siç zbuluam në kërkimin tonë të fundit për Institut Montaigne, qeveria e Tuskut u përball me një dilemë: si mund të korrigjonte emërimet dhe vendimet gjyqësore të dekadës së fundit pa minuar sigurinë juridike apo pa shkelur garancitë procedurale?

Në Hungari, detyra që e pret Péter Magyarin do të jetë edhe më e vështirë. Eksperimenti nacional-populist në Poloni zgjati “vetëm” tetë vjet; Orbáni ishte në pushtet për 16 vjet. Për më tepër, ndërsa PiS-i nuk kishte shumicën prej dy të tretash të nevojshme për të rishkruar plotësisht kushtetutën polake, Orbáni arriti ta nguliste iliberalizmin e tij në themelet e shtetit hungarez. Magyari trashëgon një shtet të “kapur”, ku besnikët e regjimit mbeten të rrënjosur në çdo strukturë publike, ndërsa sektorët kyçë të ekonomisë dhe të shoqërisë - nga mediat te universitetet e privatizuara - mbeten nën kontrollin e një oligarkie pro-Orbán.

Magyari është konservator dhe ish-anëtar i brendshëm i Fidesz-it, i cili është zotuar të luftojë korrupsionin dhe të rivendosë lidhjet me Evropën. Ai e zhvilloi një fushatë të mirë, duke përshkuar vendin teksa kishte një prani të fortë dhe efektive në rrjetet sociale. Por, ai trashëgon një vend në gjendje kritike: që nga viti 2020, inflacioni në Hungari ka tejkaluar 50 përqindëshin, ndërsa shteti renditet i 55-ti në Indeksin e Demokracisë të Economist-it (midis Tajlandës dhe Shri Lankës) - aq sa vendi nuk do të mund të anëtarësohej në BE nëse do të aplikonte sot.

Humbja e Orbánit kishte diçka njëkohësisht të pashmangshme dhe të paplotë. Ishte e pashmangshme, duke pasur parasysh konsumimin e pushtetit afatgjatë dhe dështimin për të përmbushur premtimet e tij kryesore për madhështinë kombëtare dhe politikat e natalitetit. Por, mbetet gjithashtu e paplotë, sepse rindërtimi kërkon pafundësisht më shumë kohë dhe energji sesa shkatërrimi. Dobësitë ligjore që kemi parë në Poloni - ku levat e pushtetit mbeten përtej kontrollit të Ekzekutivit për shkak të një presidenti armiqësor ose një Gjykate të kontestuar Kushtetuese - do të pasqyrohen, dhe me gjasë do të përforcohen, në Hungari. Mbeten pyetjet se deri ku do të shkojë Magyari - i cili tani mban shumicën prej dy të tretash të nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën - në çmontimin e sistemit dhe nëse BE-ja do të vazhdojë presionin për të siguruar një rikthim të vërtetë të shtetit të së drejtës.

Kjo vështirësi përforcohet nga ajo që mund ta quajmë faktori Trump. Ashtu siç Donald Trumpi ka treguar se një lëvizje populiste mund të mbijetojë dhe madje të lulëzojë edhe pasi e humb pushtetin, politika e tipit Orbán tashmë është e rrënjosur thellë në Hungari. Orbáni është vetëm 62 vjeç dhe, me aleatin e tij amerikan që ofron një model për narrativën e rikthimit, ai me gjasë do të presë që koalicioni i ri të përballet me realitetet e një ekonomie të dëmtuar. Ai do të mbështetet te frustrimi i votuesve kur ndryshimi historik, për të cilin votuan, nuk prodhon mrekulli të menjëhershme. Siç tha Orbáni të dielën në mbrëmje pasi pranoi humbjen: “Ne kurrë nuk dorëzohemi. Kjo është një gjë që njerëzit e dinë për ne: ne kurrë nuk dorëzohemi”.

Rezultati i papritur zgjedhor në Budapest pason një tjetër goditje të rëndësishme për frontin nacional-populist: dështimin e Giorgia Melonit për të kaluar referendumin e saj kushtetues për reformën në drejtësi në Itali. Rasti italian është kompleks dhe shërben si mësim i fuqishëm me dy tehe. Nga njëra anë, ai konfirmon se edhe populistët më pragmatikë përfundimisht kërkojnë të dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit për të konsoliduar pushtetin ekzekutiv. Nga ana tjetër, dëshmon se kundërpeshat institucionale dhe opinioni publik mund të veprojnë ende si pengesa efektive. Megjithatë, Meloni mbetet në pushtet dhe është ashiqare popullore, duke treguar se një lider populist mund të mbijetojë humbjen pa humbur kontrollin politik. Kjo ambivalencë thekson qëndrueshmërinë e këtyre lëvizjeve të djathta: ato mund të frenohen, por rrallëherë rrëzohen me një goditje të vetme.

Zgjedhjet e së dielës ishin fitore jo vetëm në kutinë e votimit, por për vetë votimin, dhe njerëzit kanë të drejtë ta trajtojnë me entuziazëm. Por, duhet të pranojmë se nacional-populizmi është i ndërtuar për të mbijetuar rënien e krijuesve të tij. Populli hungarez i dha fund sundimit të Orbánit, por sapo ka filluar puna për të rimarrë shtetin e tyre. Nëse qeveria e re e Magyarit nuk arrin të manovrojë nëpër kurthet ligjore të lëna pas, fantazma e regjimit të vjetër - dhe aleatët e tij në Uashington dhe Moskë - do të jenë gati të rikthehen. Në historinë e populizmit, humbja e parë rrallëherë është e fundit. /Telegrafi/